Bota

Presidenti iranian: Ndërhyrja e të huajve rrit problemet në rajon

"Besojmë se prania dhe ndërhyrja e të huajve jo vetëm që nuk do t‘i zgjidhë problemet, por do t‘i rrisë ato", tha Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi

Haydar Şahin  | 16.06.2022 - Përdıtësım : 17.06.2022
Presidenti iranian: Ndërhyrja e të huajve rrit problemet në rajon

Teheran

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka deklaruar se rruga e vetme për të zgjidhur problemet rajonale është dialogu mes vendeve të rajonit dhe se ndërhyrja e të huajve jo vetëm që nuk do t‘i zgjidhë problemet, por sipas tij do t‘i rrisë edhe më shumë ato, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, IRNA, Raisi u takua me Alen Roberti Simonyan, kryetarin e parlamentit të Armenisë, i cili ndodhet në Teheran për takime zyrtare.

"Ndërveprimi mes dy vendeve luan një rol efektiv dhe konstruktiv në përparimin e marrëdhënieve Iran-Armeni", tha Raisi, duke shtuar se duhet të ndërmerren hapa praktikë për rritjen e nivelit të ndërveprimit.

Raisi u shpreh se Irani dhe Armenia kanë një kapacitet të mirë për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e transportit, energjisë, industrisë, eksporteve teknike dhe inxhinierike si dhe në shërbimin bujqësor.

Politika e jashtme e ndjekur nga Irani është në "mbështetje të integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të të gjithë vendeve në rajon", tha Raisi dhe theksoi se Teherani mbështet çdo lloj dialogu dhe plani që siguron paqen dhe qetësinë.

Rruga e vetme për të zgjidhur problemet rajonale është dialogu mes vendeve të rajonit, deklaroi Raisi duke shtuar se, "Besojmë se prania dhe ndërhyrja e të huajve jo vetëm që nuk do t‘i zgjidhë problemet, por do t‘i rrisë ato".

Kryetari i parlamentit të Armenisë, Alen Roberti Simonyan, theksoi se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve në çështjet e tilla si ekonomike, tregtare dhe kalimet tranzit me Iranin.

Më tej, Simonyan bëri të ditur se dy vendet kanë mundësi dhe kapacitete të mëdha për të zhvilluar marrëdhëniet në fusha të ndryshme.

Kryeparlamentari armen shprehu gjithashtu vlerësimin e tij "për qëndrimin konstruktiv të Iranit për zhvillimet në rajon" dhe tha se, "Shpresojmë që Irani duke shikuar nga e ardhmja do të luajë një rol më aktiv në zhvillimet në rajon".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın