Zehra Nur Düz
14 Gusht 2021•Përditësim: 15 Gusht 2021
Presidenti tunizian Kais Saied priti të premten një delegacion amerikan të kryesuar nga Zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Finer, transmeton Anadolu Agenc (AA).
Finer i dorëzoi një mesazh me shkrim presidentit të Tunizisë nga presidenti amerikan Joe Biden, tha presidenca tuniziane në Facebook.
Gjatë takimit, Saied tha se masat e jashtëzakonshme që ai mori muajin e kaluar ishin brenda kuadrit të zbatimit të kushtetutës dhe përgjigje ndaj vullnetit popullor në dritën e krizave politike, ekonomike, sociale dhe korrupsionit të shfrenuar dhe ryshfetit në Tunizi.
Nuk ka asnjë arsye për shqetësim në lidhje me vlerat e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë që Tunizia ndan me shoqërinë amerikane, tha ai.
Finer tha se Biden po ndjek nga afër situatën në Tunizi dhe ka respektin më të madh për Tunizinë dhe presidentin e saj.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë po ashtu konfirmoi takimin Finer-Saied në një deklaratë.
“Gjatë vizitës, ai dha një mesazh nga presidenti Biden duke riafirmuar mbështetjen e tij personale dhe atë të Administratës Biden-Harris për popullin tunizian dhe kërkoi një kthim të shpejtë në rrugën e demokracisë parlamentare të Tunizisë”, thuhet në deklaratë.
Finer theksoi nevojën urgjente që Tunizia të nominojë një kryeministër, i cili do të formojë një qeveri të aftë për të trajtuar krizat e menjëhershme ekonomike dhe shëndetësore me të cilat përballet vendi.
Më 25 korrik, presidenti Kais Saied shfuqizoi qeverinë e kryeministrit Hichem Mechichi, pezulloi parlamentin dhe u emërua si kreu i zyrës së prokurorit publik.
Tunizia është përfshirë nga një krizë e thellë që nga 16 janari, kur Mechichi njoftoi një riorganizim të kabinetit, por Saied refuzoi të mbajë ceremoni për betimin e ministrave të rinj.
Tunizia shihet si i vetmi vend që arriti të realizojë një tranzicion demokratik midis vendeve arabe, të cilat u përballën revolucione popullore që rrëzuan regjimet e tyre sunduese, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin.