Presidenti i Finlandës dënon sulmin e Izraelit në Gaza si shkelje të së drejtës ndërkombëtare
Presidenti finlandez, Alexander Stubb tha se komuniteti ndërkombëtar "ka dështuar të kontrollojë situatën" në Gaza

Stamboll
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb dënoi sot sulmin tokësor të Izraelit në Gaza, duke e përshkruar atë si shkelje të ligjit dhe normave ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics në Riga, Stubb tha se komuniteti ndërkombëtar "ka dështuar të kontrollojë situatën" në Gaza, raportoi "YLE news".
"Sulmi shkel ligjin dhe normat ndërkombëtare", theksoi ai.
Ushtria izraelite konfirmoi më herët të martën fillimin e një ofensive në qytetin e Gazës, duke thënë se po shënjestronte pozicionet e mbajtura nga Hamasi.
Qeveria e ndarë politikisht e Finlandës ka luftuar për të rënë dakord për një qëndrim të unifikuar.
Stubb më parë ka mbajtur një qëndrim më të fortë ndaj konfliktit sesa qeveria e koalicionit katërpartiak në Helsinki.
Në korrik, ai tha se do të miratonte njohjen e shtetësisë palestineze nëse qeveria do të paraqiste një propozim të tillë, duke vënë në dukje se presidenti mbikëqyr politikën e jashtme në bashkëpunim me qeverinë sipas kushtetutës së Finlandës.
Presidentët finlandez dhe ai letonez diskutuan gjithashtu për luftën e Rusisë në Ukrainë, inkursionet me dronë mbi Poloni dhe bashkëpunimin rajonal të mbrojtjes. Stubb tha se ishte "shumë e pamundur" që dronët rusë që kaluan në hapësirën ajrore të Polonisë javën e kaluar ta kenë bërë këtë aksidentalisht.
"Duhet të presim të papriturën", tha Stubb duke shtuar se Moska do të vazhdojë ta testojë Perëndimin "në një mënyrë ose në një tjetër".
Rinkevics u kërkoi anëtarëve të NATO-s të forcojnë mekanizmat për t'iu kundërvënë kërcënimeve me dronë ndërsa Stubb parashikoi se bashkëpunimi midis shteteve nordike dhe baltike, të cilat tani janë të gjitha anëtare të NATO-s, do të thellohet më tej.