Ekip
25 Nëntor 2021•Përditësim: 25 Nëntor 2021
Presidenti çek Millosh Zeman u lirua sot nga spitali ushtarak në Pragë pasi gjendja e tij u përmirësua, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zeman, 77-vjeç, u dërgua me urgjencë në klinikë më 10 tetor, një ditë pas zgjedhjeve për Dhomën e ulët të Parlamentit, për t'u trajtuar në repartin e kujdesit intensiv. Gjendja e tij i atribuohet një sëmundjeje kronike të paspecifikuar.
Spitali tha se ka preferuar që Zeman të qëndronte i shtruar në spital, por pranoi vendimin e tij për t'u larguar për shkak të një "përmirësimi të konsiderueshëm" në gjendjen e tij.
Presidenti do të shërohet në kështjellën presidenciale në Lany, në perëndim të Pragës.
Zeman është një duhanpirës dhe konsumues i alkoolit, i cili ka vuajtur nga diabeti. Ai ka probleme me ecjen dhe përdor karrige me rrota.
Si president, Zeman ka rol kyç në krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve. Të premten, para tij do të betohet Petr Fiala, kreu i koalicionit që fitoi zgjedhjet, kryeministri i ri i vendit.
Koalicioni trepartiak, liberal-konservator i njohur si "Së Bashku", i përbërë nga Partia Civile Demokratike, Kristian-Demokratët dhe partia TOP 09, kryesoi zgjedhjet me 27.8 për qind të votave.
Koalicioni qeverisës përbëhet nga 5 parti të cilat do të kenë 108 vende në Dhomën e ulët të Parlamentit prej 200 vendesh, duke e çuar kryeministrin populist Andrej Babis dhe lëvizjen e tij qendrore ANO (PO) në opozitë.