Bota

Pashinyan: "Përmbushja e detyrimeve në marrëveshjet për Karabakun do të krijojë kushtet për paqe afatgjate"

"Nëpërmjet territoreve të Azerbajxhanit do të sigurojmë rrugë tokësore dhe hekurudhore me Rusinë dhe lidhje hekurudhore me Iranin. Edhe Azerbajxhani do të sigurojë rrugë tokësore dhe hekurudhore me Nakhchivan-in nëpërmjet territoreve tona"

Ali Cura  | 15.10.2021 - Përdıtësım : 17.10.2021
Pashinyan: "Përmbushja e detyrimeve në marrëveshjet për Karabakun do të krijojë kushtet për paqe afatgjate"

Moskë

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, tha se përmbushja e detyrimeve në marrëveshjet e bëra lidhur me Karabakun do të krijojë kushtet për paqe afatgjate dhe të përhershme në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pashinyan foli për çështjen e Karabakut në një fjalim që mbajti nëpërmjet internetit në takimin e liderëve të vendeve të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura.

Ai deklaroi se Armenia shpreson që të arrijë rezultate konkrete në të ardhmen e afërt në lidhje me hapjen e komunikimit rajonal me Azerbajxhanin. Pashinyan shtoi se grupi trepalësh i përbërë nga zëvendëskryeministrat e Rusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit po punojnë për hapjen e kanaleve të komunikimit dhe se shpreson që në të ardhmen e afërt të arrijnë rezultate konkrete.

"Kjo nënkupton se nëpërmjet territoreve të Azerbajxhanit do të sigurojmë rrugë tokësore dhe hekurudhore me Rusinë dhe lidhje hekurudhore me Iranin. Edhe Azerbajxhani do të sigurojë rrugë tokësore dhe hekurudhore me Nakhchivan-in nëpërmjet territoreve tona", tha Pashinyan.

Kryeministri armen Pashinyan deklaroi se Armenia mbështet skenarët e hapjes së lidhjes së transportit, të cilët do të bëhen simbole dhe mjete për ndërtimin e paqes.

Duke vënë në dukje se Armenia është e gatshme të punojë për të gjitha çështjet në rajon, Pashinyan tha se përmbushja e detyrimeve në marrëveshjet e bëra lidhur me Karabakun do të krijojë kushtet për paqe afatgjate dhe të përhershme në rajon.

"Më duhet të theksoj që edhe fillimi i një bisedimi me Turqinë për normalizimin e marrëdhënieve tona është një tjetër element që mund të luajë rolin e katalizatorit në këtë çështje", tha Pashinyan.

Gjithashtu, Pashinyan u shpreh se edhe Rusia është gatshme të ofrojë mbështetje të plotë për këtë proces.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.