Bota

Pas sulmeve të Haftarit, GNA pezullon pjesëmarrjen në takimin e Komitetit ushtarak

"Pjesëmarrja në takimet e Komitetit ushtarak në Gjenevë është pezulluar deri në marrjen e një qëndrimi të vendosur kundër sulmuesve (milicëve të Haftarit) dhe kundër shkeljeve të tyre", thuhet në deklaratën e GNA-së

Gülşen Topçu   | 19.02.2020
Pas sulmeve të Haftarit, GNA pezullon pjesëmarrjen në takimin e Komitetit ushtarak

Tripoli

Këshilli presidencial i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë (GNA) e cila ka legjitimitet nga OKB-ja njoftoi se pezullon pjesëmarrjen në takimin e Komitetit ushtarak i planifikuar të mbahet në formatin 5+5 në Gjenevë të Zvicrës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli presidencial në një deklaratë me shkrim njoftoi se ky vendim është marrë pas sulmeve të kryera ndaj portit të Tripolit nga Khalifa Haftar lideri i forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë.

"Armëpushimi u shkel edhe njëherë duke vendosur në objektiv komplekset civile në kryeqytetin Tripoli. Këtë herë në objektiv nuk ishte aeroporti Mitiga, por porti i Tripolit", thuhet në deklaratën e Këshillit presidencial të GNA-së.

"Porti është pikë jetësore për libianët, sepse nga ky port libianët sigurojnë ushqimet, ilaçet, produktet mjekësore dhe të nevojave të tjera themelore", thuhet në deklaratë ku vihet në dukje se sulmet e milicëve të Haftarit para dhe pas armëpushimit janë krime lufte.

"Pjesëmarrja në takimet e Komitetit ushtarak në Gjenevë është pezulluar deri në marrjen e një qëndrimi të vendosur kundër sulmuesve (milicëve të Haftarit) dhe kundër shkeljeve të tyre", theksohet në deklaratë ku bëhet e ditur se forcat e GNA-së do të kundërpërgjigjen në një kohë dhe mënyrë të përshtatshme kundër këtyre shkeljeve.

"Bisedimet janë të pakumptimta pa arritjen e një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe të përhershëm që të sigurojë rikthimin në shtëpi për të zhvendosurit brenda vendit dhe sigurinë në kryeqytet dhe qytetet e tjera. Komuniteti ndërkombëtar duhet të zbatojë vendimet e marra nëse me të vërtetë dëshiron stabilitet në Libi", thuhet më tej.

Në këtë mënyrë raundi i dytë i takimeve të Komitetit ushtarak që pritej të fillonte dje në Gjenevë u ndërpre për shkak të sulmeve nga milicët e Haftarit.

Raundi i parë i takimit në formatin 5+5 filloi më 3 shkurt dhe përfundoi më 8 shkurt në Gjenevë të Zvicrës me pjesëmarrjen e 5 anëtarëve nga qeveria e GNA-së dhe 5 nga Ushtria Kombëtare e Libisë që është grupi i armatosur i lidhur me Haftarin.

Milicët e Haftarit dje pasdite kryen sulm me raketa ndaj portit të Tripolit, ku si pasojë humbën jetën 3 civilë ndërsa 5 të tjerë u plagosën.

Zëdhënësi i operacionit, Burkan Al-Ghadab (Vullkani i zemërimit), Mustafa al-Mujai në një deklaratë të bërë më pas për AA tha se milicët e Haftarit sulmuan sërish për herë të dytë me raketa portin e Tripolit.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın