Malik Hasa
28 Maj 2016•Përditësim: 29 Maj 2016
TIRANË (AA) – Kryetari i Grupit Parlamentar të Turqisë pranë Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Osman Aşkın Bak, në një intervistë për Anadolu Agency (AA), ka deklaruar se NATO pas Samitit të Varshavës do të ketë një tjetër pikëpamje dhe vlerësimet për këtë pikëpamje do të diskutohen në mbledhjen e radhës të Asamblesë në Stamboll.
Bak i ka bërë këto deklarata gjatë qëndrimit të tij në Tiranë AA, në kuadër të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që është duke u zhvilluar këto ditë në kryeqytetin e Shqipërisë.
Duke theksuar se përfaqësuesit e anëtarëve të NATO-s, pjesëmarrës në këtë asamble vlerësuan qasjen e Turqisë ndaj refugjatëve sirianë, Bak u shpreh se mbledhja e 62-të e kësaj asambleje do të zhvillohet në Stamboll në datat 18 – 20 nëntor.
Bak në vazhdim të fjalës së tij dha detaje edhe mbi stendën e hapur në ambientet ku organizohej asambleja, ku të pranishmëve iu shpërndanë broshura, katalogë informuese mbi mbledhjen e radhës si dhe dhurata. "I kemi sjellë këto dhurata në emër të presidenti, kryetarit të Parlamentit dhe kryeministrit të Turqisë. I ftojmë të pranishmit të vijnë edhe në mbledhjen e radhës në Stamboll", u shpreh ai.
Ndërsa mbi Samitin e NATO-s i cili do të organizohet në javën e dytë të korrikut në Poloni, Bak tha se në këtë samit temat kryesore do të jenë, Rusia, lufta kundër terrorizmit dhe gjendja në Siri.
"Mbledhja në Stamboll do të jetë më e gjerë dhe më e rëndësishme, sepse pas Samitit të Varshavës NATO do të ketë një pikëpamje tjetër dhe vlerësimi për këtë pikëpamje do të diskutohet në Stamboll", është shprehur Bak në fund të fjalës së tij.