Bota

Pas 10 vitesh, Hamas përpiqet të rivendosë marrëdhëniet me regjimin sirian

Hayya njoftoi se brenda dhe jashtë Hamasit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë për t‘i dhënë fund diskutimeve për vendosjen e lidhjeve me regjimin sirian

İdiris Okuduci  | 28.06.2022 - Përdıtësım : 29.06.2022
Pas 10 vitesh, Hamas përpiqet të rivendosë marrëdhëniet me regjimin sirian

Bejrut

Khalil Al-Hayya, përgjegjësi i zyrës së Hamasit për marrëdhëniet islame dhe arabe, tha se me regjimin e Bashar Al-Asadit në Siri po përpiqen të rindërtojnë marrëdhëniet të cilat janë prishur që nga viti 2012, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari i Hamasit, Al-Hayya, ka folur për gazetën Al-Akhbar e cila publikohet në Liban dhe e cila njihet për afërsinë e saj me Hezbollahun.

Duke njoftuar se brenda dhe jashtë Hamasit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë për t‘i dhënë fund diskutimeve për vendosjen e lidhjeve me regjimin e Asadit në Siri, Hayya tha se si rezultat i kësaj kanë vendosur që të punohet për rindërtimin e marrëdhënieve me Damaskun.

Hayya nuk ka dhënë detaje lidhur se çfarë hapash do të ndërmerren dhe se në çfarë niveli do të zhvillohen marrëdhëniet me regjimin e Asadit.

Hamas në vitin 2012, kur shpërtheu lufta e brendshme në Siri, bëri deklarata në mbështetje të popullit që u kryengrit kundër regjimit të Asadit. Pas kësaj, marrëdhëniet mes Hamasit dhe regjimit u shkëputën.

- Vizita e Haniyeh-it në Liban

Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, më 21 qershor vizitoi dhe zhvilloi një sërë takimesh në kryeqytetin Beirut të Libanit.

Në kuadër të takimeve, lideri i Hamasit u takua me sekretarin e përgjithshëm të Hezbollahut aleatit të Iranit, Hassan Nasrallah dhe diskutoi bashkëpunimin në çështjen e Palestinës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.