Hajer M'tırı
18 Nëntor 2015•Përditësim: 18 Nëntor 2015
PARIS (AA) – Gjatë një aksioni policor në qarkun verior të Parisit, Saint-Denis, ka ndodhur konflikti mes policisë dhe të arratisurve të dyshuar për sulmet e javës së kaluar terroriste në kryeqytetin e Francës. Operacioni i policisë është ende në vijim dhe në atë pjesë të qytetit mund të dëgjohen shpërthime dhe të shtëna, raporton Anadolu Agency (AA).
"Le Figaro" franceze raporton se së paku tre sulmues janë vrarë, tre të tjerë janë arrestuar, ndërsa dy policë janë plagosur gjatë konfliktit të armatosur i cili ende vazhdon. Burimet jozyrtare njoftojnë se numri i viktimave është më i madh, ndërsa zyrtarët e policisë nuk kanë komentuar akoma ngjarjen. Një person është hedhur në ere me bombë.
Aksioni policor në Saint-Denis ka filluar në orën 4:30 të mëngjesit të sotëm dhe është nisur me qëllim të gjetjes së "sulmuesit të nëntë", përkatësisht personit i cili akuzohet për pjesëmarrje në sulmet e javës së kaluar në Paris.
Prefekti i Sain-Denis, Didier Paillard, ka konfirmuar se aksioni ende vazhdon dhe se është duke ndodhur në vetë qendrën e kësaj komune në afërsi të Bazilikës së atjeshme.
Paillard ka thënë se të gjitha rrugët që çojnë drejt vendit të ngjarjes janë të mbyllura, ndërsa sot nuk do të punojnë as shkollat.
Një grup sulmuesish të premten kanë kryer sulmet terroriste në Paris, ku mbetën të vrarë 129 persona, ndërsa janë plagosur 352. Në sulmet e koordinuara në gjashtë lokacione në Paris janë vrarë edhe shtatë sulmues. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë përsipër organizata terroriste DAESH.