Bota

Pakistani dhe SHBA diskutojnë për zhvillimet në Afganistan

Ministri i Jashtëm pakistanez, Qureshi tha se Islamabadi dëshiron një marrëdhënie të balancuar me administratën e Washingtonit bazuar në tregti, investime, energji dhe lidhje rajonale

Muhammet Nazım Taşcı   | 24.09.2021
Pakistani dhe SHBA diskutojnë për zhvillimet në Afganistan

Islamabad

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mahmoud Qureshi diskutoi për zhvillimet në Afganistan me homologun e tij amerikan, Antony Blinken, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit thuhet se Qureshi i cili ndodhet në SHBA në kuadër të Asamblesë së 76-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) u takua me sekretarin Blinken në New York.

Duke theksuar angazhimin e Pakistanit për të lehtësuar përpjekjet për pajtimin politik gjithëpërfshirës në Afganistan, Qureshi tha se një qeveri e qëndrueshme dhe me bazë të gjerë që reflekton diversitetin e Afganistanit dhe ruan fitimet e arritura që nga viti 2001, mund të sigurojë që territori afgan të mos shfrytëzohet më kurrë nga terroristët.

Duke treguar shfaqjen e një realiteti të ri politik në Afganistan, Qureshi theksoi se talebanët duhet të përmbushin angazhimet e tyre dhe bashkësia ndërkombëtare ka një detyrim moral të ndihmojë popullin afgan në përballimin e rritjes së krizës ekonomike.

Qureshi tha se shpreson që bota të mos përsëriste gabimin e ndërprerjes së lidhjeve me Afganistanin.

"Ne dëshirojmë një marrëdhënie të ekuilibruar me SHBA-në"

Duke iu referuar marrëdhënieve me SHBA-në, Qureshi potencoi se Islamabadi dëshiron një marrëdhënie të balancuar me administratën e Washingtonit bazuar në tregti, investime, energji dhe lidhje rajonale.

Shefi i diplomacisë pakistaneze tërhoqi vëmendjen për shkeljet e të drejtave të njeriut në rajonin Xhammu Kashmir të Indisë dhe nënvizoi se zgjidhja e çështjes së Kashmirit është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Azinë Jugore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken falënderoi Pakistanin për mbështetjen e tij në evakuimin e shtetasve të SHBA-së dhe vendeve të tjera nga Afganistani dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme për paqen në rajon.

Të dy ministrat u takuan ballë për ballë për herë të parë që kur administrata e Bidenit mori detyrën në janar.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın