Bota

Pakistani dhe SHBA diskutojnë për situatën në Afganistan dhe Kashmir

Takimi u realizua një ditë pasi presidenti i SHBA-së, Trump befas u dha fund bisedimeve paqësore me talebanët afganë

Ekip   | 09.09.2019
Pakistani dhe SHBA diskutojnë për situatën në Afganistan dhe Kashmir

Ankara

Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), gjenerali Kenneth F.McKenzie sot u takua me shefin e Ushtrisë së Pakistanit, gjeneralin Qamar Javed Bajwa, në selinë e ushtrisë në qytetin garnizon të Rawalpindit për të diskutuar për situatën në Afganistan dhe rajonin e Kashmirit të administruar nga India, raporton Anadolu Agency (AA).

Në krye të një delegacioni të nivelit të lartë, gjenerali McKenzie mbërriti në Pakistan në një vizitë një ditore pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump, në një zhvillim befasues, u dha fund bisedimeve paqësore maratonike me talebanët pas sulmit të fundit ku mbeti i vrarë një ushtar amerikan.

Të dyja palët diskutuan "mjedisin gjeo-strategjik dhe sigurinë rajonale, përfshirë Afganistanin dhe situatën në Kashmir", thuhet në deklaratën e mediave të krahut ushtrisë, pa dhënë sqarime.

Dhjetorin e kaluar, Islamabadi ndërmjetësoi bisedime të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe talebanëve që kishin për synim dhënien fund të luftës më të gjatë të Amerikës përmes një zgjidhjeje politike.

Të dyja palët, sipas të dërguarit të SHBA-së, Zalmay Khalilzad, kishin arritur pothuajse një marrëveshje kur Trump anuloi takimet e tij të planifikuara të fshehta me krerët e talebanëve afganë dhe presidentin afgan Ashraf Ghani, në Camp David pas sulmit mizor të javës së kaluar në Kabul ku mbetën të vrarë 13 persona, përfshirë një ushtar të SHBA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Michael Pompeo tha për CNN të dielën se Washingtoni ishte ende i interesuar për të arritur një marrëveshje paqeje me talebanët, me kusht që ata të hiqnin dorë nga dhuna.

Procesi i hapjes dhe mbylljes

Pakistani gjithashtu kishte ndërmjetësuar raundin e parë të bisedimeve të drejtpërdrejta midis qeverisë së brishtë afgane dhe talebanëve në Islamabad në korrik 2015, por procesi u prish pasi talebanët shpallën vdekjen e liderit të tyre Mullah Mohammed Omar, e cila shkaktoi një luftë të rreptë për pushtet brenda lëvizjes.

Shanset për rifillimin e procesit të ngecur u zbehën edhe më shumë pas vdekjes së pasardhësit të Omarit, Mullah Akhtar Mansur, në një sulm ajror amerikan në territorin pakistanez në vitin 2016.

Që atëherë, disa përpjekje për të rifilluar procesin e ngecur të paqes janë bërë nga një grup i përbërë nga Pakistani, Afganistani, SHBA dhe Kina.

Islamabadi dhe Kabuli kanë akuzuar prej kohësh njëri-tjetrin për sigurimin e kampeve të sigurta për militantët.

Në serinë e sulmeve terroriste në të dyja vendet, për të cilat të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën, ka shkaktuar tendosje të mëtejshme në marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Pakistanit dhe Afganistanit vitet e fundit.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın