Bota

Për eksportet e naftës në Basra, Iraku e sheh Turqinë si alternativë

Ministri irakian i Naftës tha se vendi i tij u bën thirrje investitorëve turq të zgjerojnë projektet e tubacionit nga Basra në Ceyhan dhe të rehabilitojnë tubacionet strategjike për të zhvilluar qytetin e pasur me naftë të Basrës

Firdevs Yüksel,Büşranur Begçecanlı   | 11.11.2019
Për eksportet e naftës në Basra, Iraku e sheh Turqinë si alternativë Foto: Büşranur Begçecanlı/AA

Stamboll

Një prej rrugëve eksportuese për transportin e naftës nga rajoni i pasur me naftë i Basrës, ku së fundmi shkaku i protestave ka pengesa të eksportit, Iraku e sheh Turqinë si alternativë të mundshme.

Këtë e konfirmoi ministri irakian i Naftës, Falah Alamri Jassim, i cili në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se vendi i tij u bën thirrje investitorëve turq të zgjerojnë projektet e tubacionit nga qyteti irakian Basra në qytetin turk Ceyhan dhe të rehabilitojnë tubacionet strategjike për të zhvilluar qytetin e pasur me naftë të Basrës.

Jassim theksoi se Iraku u jep rëndësi të veçantë korridoreve të energjisë me Turqinë në kërkimet e Bagdadit për një rrugë alternative të eksportit. Gjirin Arabik ai e përshkroi si “rrugë kryesore” për eksportet e naftës irakiane, por shtoi se ka nevojë për “fleksibilitet” në rrugët e eksportit të naftës irakiane.

Përderisa tensionet në Gjirin Arabik mund të ndërpresin transportin e naftës irakiane në tregjet ndërkombëtare, Iraku me një ekonomi mjaft të varur nga të ardhurat e eksportit të naftës së papërpunuar, kërkon rrugë alternative të eksportit. Duke marrë parasysh se Siria nuk është zgjedhje e përshtatshme për investime për arsye të sigurisë, Turqia dhe Jordania shihen si mundësi për rrugë të reja për eksportin e naftës së Basrës.

Qëllimi kryesor i Bagdadit është të zgjerojë pikat e eksportit të naftës, tha Jassim, duke shtuar se zgjerimi i burimeve dhe rrugëve të eksportit varet nga nevojat e Irakut, situata politike dhe ekonomike, si dhe nga siguria e tubacioneve.

Pjesa më e madhe e rezervave të naftës së provuar në Irak është në jug të vendit, ndërsa 60 për qind e të gjitha rezervave të provuara të naftës në Irak ndodhen në rajonin e Basrës, nga ku eksportohen mbi 3 milion fuçi të naftës në ditë.

Jassim tha se zhvillimi dhe siguria e qytetit të pasur me naftë do të garantohet pasi të zgjerohen planet dhe projektet e nevojshme për eksport.

Ai u bëri thirrje investitorëve turq të investojnë në projekte të tubacionit që shtrihen nga Basra në portin e qytetit turk Ceyhan, si dhe të rehabilitojnë tubacionet strategjike për zhvillimin e Basrës.

Sipas ministrit irakian, Turqia është e përfshirë në shumë projekte të sektorit të energjisë në Irak dhe njihet si një nga investitorët më të mëdhenj në Irak.

“Në fakt, të gjithë investitorët e huaj në Irak po konkurrojnë me njëri-tjetrin”, thekson Jassim, duke shtuar se Kina, e cila renditet e para në investimet e sektorit të energjisë në Basra, ndiqet nga kompanitë e Mbretërisë së Bashkuar, Koresë së Jugut dhe Rusisë.

Iraku synon të dyfishojë prodhimin e naftës deri në vitin 2030

Marrëdhëniet energjetike, që ishin një nga problemet midis Ankarasë dhe Bagdadit, u kthyen në një faqe të re kur Turqia mbështeti administratën e Bagdadit pasi Qeveria Rajonale Kurde (KRG) në Irak mbajti një referendum të pavarësisë më 25 shtator të vitit 2017.

Iraku, i cili prodhon më shumë se 3.5 milion fuçi nafte në ditë, synon që deri në vitin 2030 të dyfishojë prodhimin e naftës. Duke u bazuar në këtë qëllim, në fillim të vitit 2017 Bagdadi ndau një buxhet të investimeve rreth 7 miliardë dollarësh për të zhvilluar pesë fusha gjigande të naftës në rajonin e qytetit Basra.

Megjithatë, protestat kundër-qeveritare që filluan më 1 tetor dhe që u përhapën në mbarë vendin, krijuan kosto të mëdha për ekonominë e vendit, veçanërisht në tregtinë e naftës. Pasi protestuesit mbyllën portin kryesor të Irakut, atë Umm Qasr pranë qytetit Basra, aktivitetet e importit dhe eksportit u vështirësuan.

Më 3 tetor, kryeministri irakian, Adel Abdul-Mahdi, kërkoi kthimin në jetën normale dhe deklaroi se kërcënimi për industrinë e naftës, bllokimi i aksesit në porte dhe vonimi i hyrjes së mallrave tregtare në Irak kanë shkaktuar një rritje të çmimeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın