Bota

Osmani: Presim nga Japonia mbështetje për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës

“Presim nga Japonia mbështetje të mëtejme për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, respektivisht marrjen e njohjeve të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Osmani

Agim Sulaj  | 23.07.2021 - Përdıtësım : 23.07.2021
Osmani: Presim nga Japonia mbështetje për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës

Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në takim nga ministri i Jashtëm i Japonisë, Toshimitsu Motegi, të cilit i ka shprehur gatishmërinë e thellimit të raporteve midis dy vendeve, duke e konsideruar këtë shtet, partner strategjik të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës, Osmani i ka shprehur ministrit japonez mirënjohje dhe falënderim për “mbështetjen që ky shtet i ka dhënë Kosovës, në vazhdimësi”.

“Republika e Kosovës është partneri më i besueshëm i Japonisë në Ballkan, ndaj presim nga ajo mbështetje të mëtejme për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, respektivisht marrjen e njohjeve të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka theksuar presidentja Osmani në takim me ministrin Motegi.

Sipas presidentes Osmani, të dy shtetet mund ta rrisin bashkëpunimin, duke ftuar investitorët japonezë të investojnë në Kosovë. Ajo u shpreh se ka hapësirë të rritet bashkëpunimi në fushën e arsimit, mbrojtjes, shëndetësisë, mjedisit etj., me ç’rast konfirmoi gatishmërinë e palës kosovare për angazhim të plotë në këtë drejtim.

Në vazhdën e takimeve me krerët shtetërorë të Japonisë, Osmani pritet ta takojë edhe kryeministrin japonez Yoshihide Suga si dhe perandorin e Japonisë, Naruhito.

Presidentja Osmani udhëtoi të enjten drejt Japonisë për të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike "Tokyo 2020" dhe për takime bilaterale.

Kosova në "Tokyo 2020" merr pjesë me 11 sportistë pjesëmarrës, gjashtë nga ta vajza, ndërsa pesë djem. Pritjet më të mëdha për marrjen e medaljeve, Kosova i ka në sportin e xhudos ku edhe merr pjesë kampionia olimpike Majlinda Kelmendi.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın