Jamal Khashoggi

OKB: Arabia Saudite përgjegjëse për vrasjen e Khashoggit

“Sanksionet e shënjestruara kundër individëve dhe subjekteve në Arabinë Saudite që kanë gjasa të përfshihen në vrasjen e Khashoggit duhet të vazhdojnë”, thuhet në raportin e OKB-së

Ahmet Gürhan Kartal  | 19.06.2019 - Përdıtësım : 20.06.2019
OKB: Arabia Saudite përgjegjëse për vrasjen e Khashoggit

Londër

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në një raport mbi vrasjen e vitit të kaluar të gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Stamboll ka deklaruar se ky akt “përbën një vrasje jashtëgjyqësore për të cilën Arabia Saudite është përgjegjëse”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raport, raportuesja e posaçme e OKB-së mbi ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard, tha se ajo zbuloi prova të besueshme për të hetuar më tej përgjegjësinë individuale të zyrtarëve sauditë në vrasjen e Khashoggit, përfshirë princin e kurorës, Mohammed Bin Salman.

Sipas raportit, sanksionet e shënjestruara kundër individëve dhe subjekteve në Arabinë Saudite që me gjasë përfshihen në vrasjen e Khashoggi duhet të vazhdojnë.

“Megjithatë, duke marrë parasysh provat e besueshme në përgjegjësitë e princit të kurorës për vrasjen e tij, sanksione të tilla po ashtu duhet të përfshijnë princin e kurorës dhe pasuritë e tij personale jashtë vendit, derisa nuk sigurohen prova dhe vërtetojnë se ai nuk mban përgjegjësi për këtë ekzekutim”, tha raporti.

Callamard tha se raportuesi i posaçëm njeh ndjeshmërinë politike të kësaj çështjeje, por theksoi se sipas ligjeve të imunitetit dhe paprekshmërisë nuk ka ndalesë për sanksionim të individëve që mbajnë poste të tilla si ajo e princit të kurorës.

- Shkeljet e të drejtës ndërkombëtare

Raporti po ashtu zbuloi se vrasja e Khashoggit ishte një vrasje jashtëgjyqësore, ndërsa tentativa për rrëmbimin e tij do të përbënte një shkelje sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe mund të përbënte një akt të torturës sipas rregullave të konventës kundër torturës.

Për më shumë, thuhet më tej në raport, mënyra në të cilën ai u ndalua dhe u trajtua pak para se ai të vritet po ashtu do të përbënte një shkelje të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

“Një hetim i kryer nga Arabia Saudite nuk është kryer me mirëbesim dhe mund të përbënte pengimin e drejtësisë pasi u zbulua prova e besueshme që u theksua në skenën e krimit duke u pastruar tërësisht”, tha raporti.

Callamard kërkoi që gjykimi kundër 11 të dyshuarve në Arabinë Saudite të pezullohet për shkak të shqetësimeve në lidhje me mungesën e besueshmërisë dhe fshehtësisë mbi gjykimet.

Raporti thekson se deri më tani Arabia Saudite nuk ka arritur të pranojë publikisht përgjegjësinë e saj për vrasjen e Khashoggit dhe nuk ka kërkuar falje nga familja, miqtë dhe kolegët e gazetarit saudit për vdekjen e tij dhe mënyrën e tmerrshme në të cilën ai u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll.

- Pengohet hetimi turk mbi vrasjen

Arabia Saudite po ashtu imponoi kufizime të ashpra ndaj hetimit turk, duke u dhënë hetuesve turq qasje të kufizuar si në kohë ashtu edhe në zonat ku ata kishin mundësi për qasje. Hetimi turk, për shembull, kishte qasje në konsullatën saudite më 15 tetor për vetëm gjashtë orë dhe vendbanimin e konsullit më 17 tetor për 13 orë, ku pyetjet e tyre mjeko-ligjore ishin të kufizuara.

Raporti kërkon nga Arabia Saudite që t'i kërkojë falje Turqisë për "keqpërdorimin e privilegjeve diplomatike dhe për shkeljen e ndalesës kundër përdorimit të dhunës në eksterritor", si dhe nxit hetime shtesë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe nga FBI.

Raportuesja po ashtu mësoi se fëmijëve të Khashoggit iu ofrua një paketë financiare kompensimi nga qeveria saudite, por kishte pyetje nëse ajo përbën kompensim sipas ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

“Ekzekutimi i Khashoggit është emblematik i një modeli global të vrasjeve të qëllimshme dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias që denoncohen rregullisht nga shtetet, agjencitë e OKB-së, procedurat e posaçme dhe nga shumë organizata ndërkombëtare e kombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në raportin e Callamard.

Raporti përfshin pjesë të bisedës së regjistruar që realizoi Khashoggi me zyrtarë sauditë në ambasadë vetëm pak minuta para vdekjes së tij.

Khashoggi u vra dhe u copëtua me datë 2 tetor të vitit të kaluar nga një grup prej shtetasve saudianë menjëherë pasi hyri në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Rijadi ofroi disa rrëfime kontradiktore për të shpjeguar zhdukjen e gazetarit saudit para se të pranonte se ai u vra në ndërtesën diplomatike, duke hedhur fajin për vrasjen e Khashoggit ndaj një lëshimi operacional të kryer nga agjentë mashtrues.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın