Bota

OKB jep alarmin për shkeljen e të drejtave të njeriut në Iran

"Së paku 7.000 njerëz janë arrestuar në Iran që nga 15 nëntori", ka thënë Komisionerja e Lartë e OKB-së, Michelle Bachelet

Ekip   | 06.12.2019
OKB jep alarmin për shkeljen e të drejtave të njeriut në Iran

Gjenevë

Komisionerja e Lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, sot dha alarmin për "mungesën e vazhdueshme të transparencës për viktimat dhe trajtimin" e rreth 7.000 të arrestuarve në Iran, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Rupert Colville, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, tha se të paktën 7.000 njerëz raportohet se janë arrestuar në 28 nga 31 provincat e Iranit që nga shpërthimi i protestave masive më 15 nëntor.

"Komisionerja e Lartë është jashtëzakonisht e shqetësuar për kushtet në të cilat ato po mbahen, përfshirë trajtimin e tyre fizik, shkeljet e të drejtave të tyre për proces të rregullt dhe mundësinë që një numër i konsiderueshëm i tyre mund të akuzohen për vepra penale që parashihen dënime me vdekje", tha Colville.

Ai tha se Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka informacione që sugjerojnë se të paktën 208 njerëz, përfshirë 13 gra dhe 12 fëmijë, janë vrarë deri më tani në protesta.

"Ka edhe raporte, të cilat deri më tani nuk kemi qenë në gjendje t'i verifikojmë, që sugjerojnë se numri i të vrarëve është dy herë më i madh", shtoi Colvill.

Ndërkaq, Bachelet tha se me numrin e madh të vdekjeve të raportuara "është thelbësore që autoritetet të veprojnë me një transparencë shumë më të madhe".

"Ata duhet të ndërmarrin hetime të shpejta, të pavarura dhe të paanshme për të gjitha shkeljet që kanë ndodhur, përfshirë vrasjen e protestuesve dhe raportimin e vdekjeve dhe keqtrajtimeve në paraburgim", shtoi ajo.

Bachelet tha se ata që janë përgjegjës për vdekjet duhet të përgjigjen.

"Duket se ka shkelje të shumta të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, të cilat Irani i ka ratifikuar dhe është i detyruar t'i mbështesë", tha Komisionerja e OKB-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın