OKB-ja: Në Gaza nuk ka mbërritur mjaftueshëm ndihmë, situata mbetet katastrofike
"Pavarësisht armëpushimit në Gaza, ndihma e mjaftueshme nuk ka mbërritur në Gaza për shkak të pengesave izraelite dhe se situata atje vazhdon të jetë në nivel katastrofik", tha Laerke
Gjenevë
MUHAMMET İKBAL ARSLAN
Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), Jens Laerke tha se pavarësisht armëpushimit në Gaza që ka qenë në fuqi për më shumë se një muaj, ndihma e mjaftueshme nuk ka mbërritur në Gaza për shkak të pengesave izraelite dhe se situata atje vazhdon të jetë në nivel katastrofik.
Laerke në një prononcim për Anadolu foli në lidhje me dorëzimin e ndihmës humanitare gjatë marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit. Rritjen e aksesit në Gaza që nga armëpushimi, Laerke e përshkroi si një zhvillim pozitiv, duke thënë se kjo u ka mundësuar atyre të shpërndajnë më shumë ndihma.
"Arritëm t'u dërgojmë ushqim të paktën 1 milion njerëzve. Po dërgojmë produkte për strehim, ujë, ilaçe dhe furnizime të tjera ndihme, dhe jemi në gjendje t'i shpërndajmë ato. Pra, kjo është një histori pozitive, por ka edhe një histori negative. Nuk po përparon aq shpejt sa do të donim. Ka ende shumë pengesa. Mendoj se ndërhyrja në Gaza tani është një 'vrapim sprint'. Duhet ta bëjmë shpejt", tha Laerke duke shtuar se:
"Në të njëjtën kohë është gjithashtu një maratonë sepse duhet ta bëjmë për një kohë shumë të gjatë. Por, tani për tani, është sikur po vrapojmë mbi rërë. Sepse duam të lëvizim shumë më shpejt sesa na lejon rëra. Ajo rërë është për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet izraelite që po na ngadalësojnë".
Ai thotë se mbërritja e kamionëve nuk është masë e mirë e ndërhyrjes aktuale në Gaza. Laerke thekson se OCHA është në dijeni vetëm të kamionëve të ndihmës që OKB-ja ka dërguar në Gaza.
Më tej Laerke tha se ka edhe kamionë me ndihma komerciale që nuk janë të dërguara nga OKB-ja, duke shtuar se këto shifra po gjurmohen nga autoritetet izraelite dhe se zyrtarët e OKB-së nuk janë në gjendje t'i llogarisin këto shifra sepse nuk kanë qasje në pikat e kalimit.
- "Numri i kamionëve me ndihma që arrijnë në Gaza është larg të qenit i mjaftueshëm"
"Ne mund t'i numërojmë kamionët tanë. Ka më shumë kamionë me ndihma që arrijnë në Gaza, por është larg të qenit i mjaftueshëm dhe jo aq shpejt sa do të donim. Kjo është thelbësore sepse ende kemi vetëm dy pika kalimi në Gazën jugore dhe aty ku kemi vërtet nevojë që pikat e kalimit të hapen është në veri. Në këtë mënyrë, ne mund t'ua dorëzojmë ndihmën drejtpërdrejt atyre që kanë më shumë nevojë", tha Laerke.
Ai vuri në dukje se kalimi kufitar Rafah mbetet i mbyllur dhe se aktualisht ndihma mund të hyjë në Gaza vetëm përmes kalimeve kufitare Kerem Abu Salim (Kerem Shalom) dhe Kissufim. Laerke thotë se disa lloje të ndihmës janë ende të kufizuara dhe se zyrtarët izraelitë pretendojnë se ato mund të përdoren për qëllime të tjera përveç ndihmës, por se nuk janë dakord me këtë.
- "Situata në Gaza ende në nivel katastrofik, nuk ka dyshim për këtë"
"Ka organizata joqeveritare (OJQ) që nuk kanë qenë në gjendje të marrin autorizim për të sjellë ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera", deklaroi Laerke i cili shtoi se ato i mbështesin këto OJQ dhe se pa to, nuk do të ishin në gjendje të ofronin ndërhyrjen e nevojshme në Gaza.
Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së tha situata në Gaza ende është në nivel katastrofik dhe nuk ka dyshim për këtë.
"Dy vjet shkatërrim masiv, luftë, vdekje, sëmundje dhe pengesa për ndihmën që duam të ofrojmë kanë lënë plagë të thella te populli i Gazës. Është e habitshme të shohësh vullnetin e palestinezëve për të jetuar dhe për të vazhduar jetën e tyre. Është e jashtëzakonshme që ata vazhdojnë të jetojnë. Por, ata janë në situatë shumë të vështirë dhe bota nuk duhet t'i harrojë ata", tha Laerke.
Ai thotë se OKB-ja ka dy lloje kamionësh ndihme në pikat kufitare "shkarkues" dhe "dorëzues" dhe se ata i bëjnë përllogaritjet në përputhje me këtë. "Midis 10 tetorit dhe 10 nëntorit, numri i kamionëve me ndihma të OKB-së që shkarkuan në kufi është 3.204, ekuivalent me një mesatare prej 107 kamionësh në ditë", tha Laerke.
Gjithashtu, Laerke vuri në dukje se numri i kamionëve me ndihma të OKB-së që u morën në dorëzim në kufijtë e njëjtë është 3.657, e barabartë me 122 kamionë në ditë. "Gjatë kësaj periudhe ne kemi dorëzuar 43.444 tonë ndihmë në Gaza. Përafërsisht 80 për qind e kësaj ishin ushqime", shtoi ai.
