OKB-ja kërkon uljen e tensioneve në Detin e Zi pas sulmeve ndaj anijeve
"Ne përsërisim se sulmet kundër civilëve, infrastrukturës civile, përfshirë infrastrukturën energjetike, janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar kudo që ato ndodhin", u tha gazetarëve zëdhënësi Stephane Dujarric
Stamboll
OKB-ja të hënën kërkoi ulje të tensioneve në Detin e Zi pas sulmeve ndaj anijeve tregtare javën e kaluar, transmeton Anadolu.
"Ne përsërisim se sulmet kundër civilëve, infrastrukturës civile, përfshirë infrastrukturën energjetike, janë të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar kudo që ato ndodhin", u tha gazetarëve zëdhënësi Stephane Dujarric.
Thirrjet erdhën pasi dy anije nafte të zbrazëta, KAIROS dhe VIRAT, raportuan shpërthime dhe zjarre pranë bregdetit të Turqisë, ndërsa ishin në rrugë drejt portit rus të Novorossiysk.
Dujarric tha se OKB-ja kërkon ulje të tensioneve dhe përsëriti mbështetjen e saj për një "armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte" që mund të hapë rrugën për paqe të qëndrueshme.
Moska të dielën akuzoi zyrtarisht Ukrainën për nisjen e sulmeve kundër anijeve tregtare.
