Bota

Erdoğan: Turqia është shndërruar në një lider global

"Në këto ditë ku më së shumti ka nevojë për udhëheqjen globale, duhet të përmirësojmë e jo të rrënojmë Kombet e Bashkuara", tha presidenti i Turqisë, Erdoğan

İlkay Güder  | 26.09.2018 - Përdıtësım : 27.09.2018
Erdoğan: Turqia është shndërruar në një lider global

New York

NEW YORK (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Turqia edhe pse nuk është një super fuqi ekonomike apo ushtarake është shndërruar në një lider global si pjesë e zgjidhjes në Irak, Siri dhe vendet tjera”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan për revistën "Foreign Policy" me seli në SHBA ka shkruar një artikull me titullin “Si dhe pse duhet ta rregullojmë OKB-në”, ku ka bërë një vlerësim për krizën, reputacionin e OKB-së dhe propozimet për reforma në këtë drejtim.

Ai tha se liderë nga të gjitha vendet e botës në OKB-në kanë vendosur në tryezë problemet më të mëdha me të cilat po ballafaqohet njerëzimi. Sipas tij, organizimi i kësaj mbledhjeje me temën kryesore “Për të bërë OKB-në të rëndësishme për të gjithë njerëzit” është një abstrakt për vështirësitë e vërteta me të cilat ballafaqohet kjo organizatë.

Sipas presidentit turk, OKB-ja përkundër përpjekjeve të stafit të institucioneve të saj të ndryshme po përjeton një krizë të paprecedentë të reputacionit.

Erdoğan theksoi se në thelbin e problemeve aktuale është mospërmbushja e kërkesës së Këshillit të Sigurimit për “ofrimin e sigurisë dhe të paqes në çdo vend të botës”.

“Ky organ më i lartë vendimmarrës i kësaj organizate nuk ka arritur që të parandalojë veprat penale të përjetuara në vende të shumta duke filluar nga Bosnja, Ruanda, Siria, Jemeni e deri në Palestinë, si dhe nuk ka arritur që t’ia dorëzojë drejtësisë përgjegjësit e këtyre sulmeve mizore. Regjimet autoritare nga rajone të ndryshme të botës, përpara syve të Kombeve të Bashkuara kanë marrë në objektiv civilët e pafajshëm me armë konvencionale dhe armë të shkatërrimit në masë, disa regjime kanë kryer gjenocid pa u ballafaquar me asnjë sanksion”, thotë ai.

“Organizata në të njëjtën kohë ka lënë të vetëm miliona fëmijë të cilët vuajnë nga varfëria ekstreme dhe mungesa e ushqimit dhe se nuk ka ndërmarrë hapa për lehtësimin e dhimbjes së refugjatëve", tha Erdoğan duke shtuar se "Mund ta zgjasim këtë listë. Por, pulsi i Kombeve të Bashkuara i cili pritet të jetë zemra e njerëzimit, sot nuk punon”.

- Ka ardhur koha për ridefinimin e “udhëheqjes globale”

Erdoğan thotë se ata të cilët e kritikojnë organizatën, janë ndarë në dysh për nga aspekti se çfarë duhet bërë.

Sipas tij, grupin e parë e përbëjnë shtetet në mesin të cilëve ndodhen edhe Turqia dhe Gjermania, të cilët bëjnë thirrje për reformë në mënyrë që të zgjidhen problemet që po përjetohen në OKB.

“Ndërsa kampi i kundërt përfshin SHBA-në që përpiqet të gërryejë themelin e rendit ndërkombëtar liberal, duke keqpërdorur anët e dobëta të Kombeve të Bashkuara. Vendimet e presidentit të SHBA-ve Donald Trump si tërheqja nga UNESCO dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut si dhe ndërprerja e ndihmave financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), janë shembuj të hapur për këtë gjendje. Trump në fjalimin e ditës së martë, këtë qëndrim e ka cilësuar si 'politika e realizmit parimor'", ta Erdoğan.

Ai tha se “në këto ditë ku më së shumti ka nevojë për udhëheqjen globale, duhet të përmirësojmë e jo të rrënojmë Kombet e Bashkuara”. Më tej Erdoğan thotë se “Nëse fuqitë e mëdha nuk duan ta marrin këtë përgjegjësi, nëse një grusht i shteteve të cilat përfitojnë nga sistemi aktual nuk duan të bëjnë reforma dhe nëse arkitektët e Kombeve të Bashkuara në mesin e të cilëve janë edhe SHBA-të dëmtojnë parimin e shumëanshmërisë duke ndërmarrë hapa të njëanshme, atëherë kjo nënkupton se ka ardhur koha e ridefinimit të 'udhëheqjes globale'".

- "Turqia është shndërruar në një lider global”

Erdoğan thotë se “Nëse fuqitë e mëdha nuk ndërmarrin apo nuk mund të ndërmarrin veprime atëherë pjesa tjetër duhet të bëjë atë që duhet nën ombrellën e OKB-së apo organizatave tjera”. Sipas tij, Turqia do të jetë anëtare e këtij komuniteti.

“Sot edhe një herë ritheksoj thirrjen time që t’i jepet fund praktikës së anëtaërismit të përjetshëm në KS të OKB-së, rritjen e numrit të anëtarëve në 20 dhe përfaqësimin e të gjitha shteteve me radhë në këtë platformë. Turqia edhe pse nuk është një super fuqi ekonomike apo ushtarake është shndërruar në një lider global si pjesë e zgjidhjes në Irak, Siri dhe vendet tjera”, tha presidenti turk.

- “Në OKB duhet të nisë një proces i reformave gjithëpërfshirëse”

Presidenti Erdoğan nënvizoi se sot Turqia, si nikoqire e 4 milionë refugjatëve nga të cilët 3,5 milionë sirianë, është në mesin e donatorëve kryesorë për ndihma humanitare.

“Në anën tjetër dimensionet në të cilat ka arritur kriza e refugjatëve tregon se kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa praninë e një bashkëpunimi më të ngushtë me organizatat si OKB-ja”, tha ai duke shtuar se “Nëse fuqitë globale nuk ndihmojnë atëherë të tjerët nga komuniteti ndërkombëtar duhet të marrin iniciativë dhe të nisin procesin e reformës gjithëpërfshirëse në OKB”.

Ai së fundmi ka thënë se “Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara duhet të bëhet më shumë se një platformë ku liderët botërorë vijnë për të mbajtur fjalime dhe për t’ radhitur ankesat e tyre. 2018 duhet të bëhet viti i vendosjes së themeleve për një sistem të ri të Kombeve të Bashkuara".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın