Bota

OKB apelon që vendet të ndërmarrin hapa “racionale dhe proporcionale” kundër virusit ‘Omicron’

Drejtuar 184 vendeve anëtare të OBSH-së, Ghebreyesus falënderoi Bostvanën dhe Afrikën Jugore për zbulimin, renditjen dhe raportimin e shpejtë të këtij lloji të virusit

Ekip   | 30.11.2021
OKB apelon që vendet të ndërmarrin hapa “racionale dhe proporcionale” kundër virusit ‘Omicron’ Foto: AA/Arkiv

Gjenevë

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka shprehur shqetësimin se disa vende po paraqesin “masa të ashpra dhe të përgjithshme” që nuk bazohen në prova, me çka ndëshkojnë vendet jugore të Afrikës pas zbulimit të llojit ‘Omicron’ të koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtuar 184 vendeve anëtare të OBSH-së, Ghebreyesus falënderoi Bostvanën dhe Afrikën Jugore për zbulimin, renditjen dhe raportimin e shpejtë të këtij lloji të virusit.

“Është thellësisht shqetësuese për mua që ato vende tani po ndëshkohen nga të tjerët për atë se po bëjnë gjënë e duhur”, tha Ghebreyesus pasi vendet evropiane dhe ato të Amerikës së Veriut vendosën kufizime të rënda të udhëtimit për Bostvanën, Afrikën e Jugut dhe vendet fqinje të tyre.

Ghebreyesus tha se ai e kupton shqetësimin e të gjitha vendeve për të mbrojtur qytetarët e tyre kundër një lloji që, siç tha ai, “akoma nuk e kuptojnë plotësisht”.

Por ai po ashtu shprehu shqetësim se disa vende po paraqesin “masa të ashpra dhe të përgjithshme që nuk janë të bazuara në prova ose efektive në vetvete” dhe të cilat sipas tij vetëm do të përkeqësojnë pabarazitë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të marrin masa racionale dhe proporcionale për reduktimin e rrezikut, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit”, tha Ghebreyesus.

OBSH e merr “jashtëzakonisht seriozisht” shfaqjen e llojeve të reja të koronavirusit

Më tej, shefi i OBSH-së tha se trupi ndërkombëtar që drejton ai po e merr “jashtëzakonisht seriozisht” shfaqjen e llojeve të reja, veçanërisht llojet me mutacione të larta si virusi ‘Omicron’ dhe kështu duhet të bëjnë edhe të gjitha vendet.

“Siç e kam thënë shumë herë, sa më gjatë të lejojmë që pandemia të zvarritet, duke dështuar në adresimin e pabarazisë së vaksinave ose në zbatimin e masave shëndetësore publike dhe sociale në një mënyrë të përshtatur, aq më shumë mundësi i japim këtij virusi të ndryshojë forma në mënyra që ne nuk mund ta parashikojmë ose parandalojmë”, u shpreh Ghebreyesus.

Pasi lloji i ri ‘Omicron’ u emërua të premten e kaluar, tha ai, ky lloj i virusit ka më shumë pyetje sesa përgjigje në lidhje me efektin në transmetim, si dhe në ashpërsinë dhe efektivitetin e testeve, terapive dhe vaksinave.

Zyrtarët e OBSH-së po punojnë me partnerët e tyre në mbarë botën për të plotësuar boshllëqet e njohurive sa më parë.

“Ne duhet të përdorim mjetet që tashmë kemi për të parandaluar transmetimin dhe për të shpëtuar jetë nga virusi ‘Delta’. Nëse e bëjmë këtë, ne po ashtu do të parandalojmë transmetimin dhe do të shpëtojmë jetë nga virusi ‘Omicron’, duke rritur kështu mbikëqyrjen, testimin, renditjen dhe raportimin“, tha Ghebreyesus, duke iu referuar llojit që aktualisht po shkakon kërdi në mbarë botën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.