OKB: 22 civilë të vdekur në Jemen nga sulmet e 2 ditëve të fundit
OKB njoftoi se shtatë civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore në Amran të hënën dhe 15 në Dhale të mërkurën

Sana
Të paktën 22 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore brenda dy ditëve në Jemen, njoftoi Koordinatorja e Çështjeve Humanitare të Jemenit pranë OKB-së, Lise Grande, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Grande tha se shtatë persona nga e njëjta familje, përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore të ditës së hënë në rajonin Al-Sawad në prefekturën Amran në veri të kryeqytetit Sana.
Ndërkaq, ditën e djeshme, 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e bombardimit të një shtëpie në rajonin Al-Fahir në prefekturën Dhale, njoftoi Grande.
Grande ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe e ka cilësuar si shqetësues faktin që sulmet kanë ndodhur pikërisht në kohën teksa zhvillohen mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ajo tha se delegacionet e mbrojtjes civile që punojnë në partneritet me OKB-në kanë bërë të ditur se mbi 700 civilë kanë humbur jetën në Jemen nga fillimi i vitit 2019, kurse 1.600 janë plagosur.
Koordinatorja e OKB-së nuk ka fajësuar asnjërën palë për sulmet.
Ndërkohë, rebelët Huthi kanë akuzuar koalicionin e kryesuar nga Arabia Saudite për sulmet në Amran dhe Dhale.
Jemeni ka mbetur i përfshirë nga dhuna që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Konflikti u përshkallëzua një vit më vonë, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë filluan një fushatë masive ajrore që synonte të parandalonte avancimin e grupit Huthi në Jemen dhe të mbështeste qeverinë pro-saudite të vendit.
Gjatë operacioneve ajrore, koalicioni ushtarak kohë pas kohe shkakton edhe viktima të shumta civile.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.