Bota

OKB: 18 protestues kundër grusht shtetit janë vrarë në Mianmar

"Ne dënojmë me fuqishëm dhunën e përshkallëzuar ndaj protestave në Mianmar dhe i bëjmë thirrje ushtrisë që të ndalojë menjëherë përdorimin e forcës kundër protestuesve paqësorë", tha në një deklaratë Ravina Shamdasani, zëdhënësja e zyrës së OKB-së

Ekip   | 01.03.2021
OKB: 18 protestues kundër grusht shtetit janë vrarë në Mianmar ( Stringer - Anadolu Agency )

Gjenevë

Zyra e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut dënoi përshkallëzimin e dhunës ndaj protestuesve në Mianmar, duke i bërë thirrje juntës ushtarake të ndalojë menjëherë përdorimin e forcës, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ne dënojmë me fuqishëm dhunën e përshkallëzuar ndaj protestave në Mianmar dhe i bëjmë thirrje ushtrisë që të ndalojë menjëherë përdorimin e forcës kundër protestuesve paqësorë", tha në një deklaratë Ravina Shamdasani, zëdhënësja e zyrës.

Ajo gjithashtu tha se zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka një informacion të besueshëm se përdorimi i forcës shkaktoi vdekje e të paktën 18 personave dhe mbi 30 të tjerë u plagosën në protestat kundër grusht shtetit të 1 shkurtit.

"Gjatë gjithë ditës, në disa vende në të gjithë vendin, forcat e policisë dhe ushtrisë janë përballur me demonstrata paqësore, duke përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak se vdekjeprurëse", shtoi ajo.

Raportohet se vdekjet ndodhën për shkak të përdorimit të municionit të vërtetë të gjuajtura në turmat në Yangon, Dawei, Mandalay, Myeik, Bago dhe Pokokku.

Sipas dëshmitarëve dhe mediave lokale, protestuesit kundër grusht shtetit u përballën me gaz lotsjellës, plumba gome dhe shok-bomba përderisa policia dhe ushtarët intensifikuan fushatën ndaj protestuesve kundër grusht shtetit të fundit ushtarak në vendin e Azisë Juglindore.

"Populli i Mianmarit ka të drejtë të mblidhet në mënyrë paqësore dhe të kërkojë rivendosjen e demokracisë", tha Shamdasani, duke shtuar:

"Këto të drejta themelore duhet të respektohen nga ushtria dhe policia, të mos përballen në një shtypje të dhunshme dhe të përgjakshme".

Zyra e OKB-së tha se forca vdekjeprurëse kundër demonstruesve jo të dhunshëm nuk është kurrë e justifikueshme sipas normave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

"Që nga fillimi i grusht shtetit në Mianmar më 1 shkurt, policia dhe forcat e sigurisë kanë shënjestruar gjithnjë e më shumë zërat e opozitës dhe demonstruesve duke arrestuar zyrtarë politikë, aktivistë, anëtarë të shoqërisë civile, gazetarë dhe profesionistë mjekësorë”, tha Shamdasani.

Vetëm gjatë ditës së sotme, policia arrestoi të paktën 85 profesionistë mjekësorë dhe studentë, si dhe 7 gazetarë të pranishëm në demonstrata.

Më shumë se 1.000 individë janë arrestuar dhe ndaluar në mënyrë arbitrare në vend dhe disa prej tyre mbeten të pagjetur.

Zyra e OKB-së përsëriti thirrjen e saj për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve në mënyrë arbitrare, përfshirë anëtarët e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike.

"Komuniteti ndërkombëtar duhet të solidarizohet me protestuesit dhe të gjithë ata që kërkojnë një kthim të demokracisë në Mianmar", theksoi Shamdasani.

Në Mianmar janë zhvilluar protesta masive që kur ushtria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 1 shkurt pas arrestimit të Aung San Suu Kyi dhe anëtarëve të lartë të Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD) që ishin në pushtet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın