Bota

Numri i të zhvendosurve nga sulmet në Idlib arrin në afër 1 milion

Gjithsej 945.992 civilë në Zonën e Deeskalimit në Idlib janë zhvendosur si pasojë e sulmeve të regjimit të Asadit dhe Rusisë që nga nënshkrimi i marrëveshjes për Idlibin në shtator të vitit të kaluar

Eşref Musa, Burak Karacaoğlu  | 21.08.2019 - Përdıtësım : 22.08.2019
Numri i të zhvendosurve nga sulmet në Idlib arrin në afër 1 milion

Idlib

Gjithsej 945.992 civilë në Zonën e Deeskalimit në Idlib janë zhvendosur si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë që nga nënshkrimi i marrëveshjes për Idlibin në shtator të vitit të kaluar, treguan të dhënat e Zyrës Koordinative Siriane për Intervenim, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të zyrës, e cila monitoron dhe regjistron proceset e migrimit në rajon, që nga intensifikimi i sulmeve më 2 shkurt e deri më tani, regjimi i Asadit dhe Rusia kanë sulmuar 11 qytete tenda, 30 qendra të Mbrojtjes Civile, 66 objekte shëndetësore, 106 shkolla, 18 tregje, 71 xhami, dy hidrocentrale, tri centrale elektrike dhe 16 furra.

Gjatë kësaj periudhe, jetën kanë humbur pesë punonjës të ndihmave humanitare, dhjetë zyrtarë të Mbrojtjes Civile, 11 punonjës ambulancash dhe katër punonjës shëndetësorë.

Ndërkohë, Muhamed Hallaxh, shefi i Zyrës Koordinative për Intervenim, tha për AA se qyteza Khan Shaykhun është zbrazur në tërësi.

"Rreth dhjetë për qind e popullsisë së qytezave Eriha, Serakib dhe Maaretinuman ka migruar. Nëse sulmet zgjerohen drejt këtyre qytezave, numri i migruesve mund të arrijë në 1,5 milion", tha Hallaxh.

Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në katër milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) ka njoftuar se të paktën 843 civilë kanë humbur jetën nga sulmet e regjimit dhe Rusisë në Idlib në periudhën midis 26 prillit dhe 19 gushtit.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın