Bota, Sport

Nesër fillon festivali më i madh sportiv në botë

Në Lojërat Olimpike mbi 11 mijë sportistë në emër të 206 vendeve do të "djersiten" për medalje

Ercan Doğan,Emrah Oktay,Erkan Tiryaki   | 22.07.2021
Nesër fillon festivali më i madh sportiv në botë

Tokio

Organizimi më i madh sportiv në botë, Lojërat Verore Olimpike, të 32-tat me radhë do të fillojnë nesër në kryeqytetin e Japonisë, Tokio, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapja solemne e Lojërave Olimpike "Tokio 2020", që do të mbahen me sloganin "Discover Tomorrow" (Zbuloni të nesërmen) do të mbahet me anë të një ceremonie nesër në Stadiumin Kombëtar të Japonisë. Deri më 8 gusht në ditën e fundit të këtij organizimi sportiv, sportistët në shumë degë do të jenë në një përpjekje të madhe.

Në Lojërat Olimpike mbi 11 mijë sportistë në emër të 206 vendeve do të "djersiten" për medalje.

- Turqia me 108 sportistë

Turqinë në Lojërat Olimpike 2020 do ta përfaqësojnë 108 sportistë, prej të cilëve 50 gra dhe 58 meshkuj në 18 degë.

Në atletizëm Turqia do të përfaqësohet nga 25 sportistë, 11 në not, 9 në mundje, 8 në lundrim, 7 në karate, nga 6 në boks dhe xhudo, nga 5 në tekvando dhe gjimnastikë artistike, 4 në qitje, nga 2 në biçikletë, peshëngritje dhe harkëtari ndërsa në badminton, skermë, kanotazh dhe pentatlon modern nga një sportist.

Gjithashtu kombëtarja turke në volejboll është e vetmja në sportet ekipore që do të përfaqësojnë Turqinë.

- Emocionet e Olimpiadave do të përjetohen në 41 qendra të ndryshme

41 objekte sportive do të presin sportistë në degë të ndryshme gjatë organizimit.

Stadiumi Olimpik, ku do të mbahet ceremonia e hapjes dhe mbylljes, do të jetë nikoqire e atletizmit dhe futbollit.

- Vitin e kaluar u prolongua për shkak të COVID-19

Tokio 2020, i cili planifikohej të mbahej vitin e kaluar, nuk u organizua për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) që kishte ndikuar të gjithë botën.

Një kohë të gjatë ishte temë diskutimi nëse do të mbahet, por në fund u vendos që të organizohet në vitin 2021.

Lojërat Olimpike Verore për herë të parë në histori do të zhvillohen pa spektatorë.

Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (IOC) kishte vendosur që për shkak të COVID-19 të mos marrin pjesë spektatorë nga jashtë vendit.

Ndërkohë, anëtarët e Komitetit Organizativ, prefekturës së Tokios, Qeverisë së Japonisë dhe IOC-së, vendosën që gjithashtu edhe prej brenda Japonisë të mos lejohen spektatorë.

Gjatë garave do të përdoren efektet e zërit nga Lojërat e kaluara Olimpike.

Ndërkohë, në Tokio 2020, në 4 degë për herë të parë do të zhvillohen gara, përkatësisht ngjitje sportive, karate, skateboard dhe surfim me valë. Loja Bejsboll/Softboll që së fundmi ishte pjesë e Lojërave Olimpike të vitit 2008 në Pekin, përsëri u shtua në program.

- Maskota e Olimpiadës u zgjodh nga fëmijët

Maskota e Olimpiadës "Tokio 2020", u zgjodh nga fëmijët e moshës shkollore.

Tre sete të ndryshme të maskotave janë votuar me pjesëmarrjen e 16.769 shkollave dhe 205.755 klasave në Tokio.

Maskota që doli e para mori 109 mijë vota.

Emri i Lojërave është bashkimi i fjalëve "Mirai" që në gjuhën japoneze do të thotë "Ardhmëri" dhe "Towa" që do të thotë "Pafundësi".

Emri "Miraitowa" përfaqëson shpresën e pafundshme në zemrën e gjithë njerëzimit për të ardhmen.

- Medaljet olimpike

Medaljet që do të jepen në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios janë prodhuar falë riciklimit.

Medaljet u përgatitën me një diametër prej 60 milimetra dhe një trashësi prej 3 milimetra. Që nga viti 1928 në njërën anë të medaljes është stampuar "Hyjnesha e Fitores Nike" e vizatua nga artisti italian Gassoili. Ndërsa në faqen tjetër gjendet emblema e vendit organizator.

Në kuadër të "Projektit të Medaljeve Tokio 2020" të filluar nga Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios, nga prilli 2017 deri në mars 2019 nga njerëzit janë mbledhur pajisje të vogla elektronike për të prodhuar metalet e arit, argjendit dhe bronzit.

- Në 36 degë do të garohet për 339 medalje të arit

Në Tokio 2020 në 36 degë do të garohet për 339 medalje të arit.

Mbi 11 mijë sportistë nga 206 vende do të garojnë në degët; qitje, atletizëm, badminton, basketboll, kalërim, biçikletë, boks, gjimnastikë, skermë, futboll, golf, mundje, peshëngritje, hendboll, hokej, xhudo, kano, ping-pong, pentatlon modern, harkëtari, volejboll plazhi, ragbi, polo uji, tekvando, tenis, triatlon, volejboll, lundrim, not, bejsboll/softboll, surfim me valë, basketboll 3x3, karate, skateboard dhe ngjitje sportive.

Më së shumti medalje do të jepen në atletizëm.

Tek meshkujt do të jepen 166 medalje ari, tek gratë 155 ndërsa tek ekipet e kombinuara 18. Në atletizëm do të jepen gjithsej 48 medalje të arit, prej të cilëve tek meshkujt 24, tek femrat 23 dhe 1 tek ekipet e kombinuara.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın