Beyza Binnur Dönmez
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
NATO tha se një raketë ruse hyri në hapësirën ajrore të Polonisë dhe ra brenda territorit polak gjatë sulmeve të Moskës ndaj Ukrainës gjatë natës, sipas transmetuesit polak TVP World, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të dërguar me email për TVP World, një zëdhënës i NATO-s tha: "Në përgjigje të një rakete ruse, aktualisht të një tipi të panjohur, që hyri në hapësirën ajrore të Polonisë dhe më pas u rrëzua në territorin polak, njëra prej shumë raketave të lëshuara nga Rusia ndaj Ukrainës gjatë natës, NATO dhe Polonia aktivizuan mbrojtjen e tyre ajrore dhe tokësore".
Sipas TVP World, raketa ra pranë fshatit Tarnawa-Kolonia, rreth 80 kilometra nga kufiri me Ukrainën, duke lënë një krater me diametër rreth 10 metra.
Autoritetet polake kanë nisur një hetim për incidentin.
Kryeministri polak Donald Tusk, sipas raportimit, tha se gjetjet paraprake tregojnë se objekti ka të ngjarë të ketë qenë një raketë lundruese ruse Kh-101, megjithëse hetuesit ende po punojnë për të përcaktuar përfundimisht llojin dhe origjinën e saj.
Ai shtoi se nuk ka prova që Polonia të ketë qenë objektiv i qëllimshëm dhe se raketa ra në një zonë të pabanuar, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale. Tusk tha se ushtria polake ishte e gatshme ta interceptonte raketën nëse ajo do të kishte depërtuar më thellë në hapësirën ajrore të Polonisë.
Incidenti ndodhi gjatë një vale të gjerë sulmesh ruse me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës perëndimore, gjë që e shtyu Poloninë të dislokonte avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, sipas TVP World.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha shkroi në platformën sociale X të kompanisë amerikane se një raketë lundruese ruse Kh-101 kishte kaluar në hapësirën ajrore polake, "duke shkelur hapësirën ajrore të NATO-s" ndërsa ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski tha se kjo armë përdoret ekskluzivisht nga forcat strategjike ajrore të Rusisë.
Nga pala ruse nuk pati koment të menjëhershëm lidhur me këto pretendime.