Bota

NATO përgatitet për zgjerimin e saj të 9-të

Për shkak se ka ndjekur politikën me "dyer të hapura", NATO gjatë viteve është zgjeruar 8 herë dhe e ka rritur në 30 numrin e anëtarëve të saj

Selen Temizer  | 30.06.2022 - Përdıtësım : 01.07.2022
NATO përgatitet për zgjerimin e saj të 9-të

Bruksel

NATO e cila ka rritur numrin e anëtarëve të saj nga 12 në 30 në 73 vitet që kanë kaluar që nga themelimi i saj, u ka dërguar ftesa Suedisë dhe Finlandës për zgjerimin e saj të 9-të, ndërsa Ukraina, Gjeorgjia dhe Bosnjë e Hercegovina prej vitesh presin të bëhen anëtare të Aleancës, raporton Anadolu Agency (AA).

Zgjerimi i Aleancës prej 30 anëtarësh ndër vite doli në plan të parë me ftesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, si rezultat i memorandumit trepalësh që u nënshkrua me Türkiye-n (Turqinë) në Samitin e Madridit.

Themelet e NATO-s u hodhën kur Belgjika, Holanda, Luksemburgu, Franca dhe Britania e Madhe u bashkuan për mbrojtjen kolektive nën Paktin e Brukselit pas Luftës së Dytë Botërore. Pakti i Brukselit një vit më vonë ia la vendin NATO-s, me bashkimin e SHBA-së, Kanadasë, Islandës, Italisë, Portugalisë, Norvegjisë dhe Danimarkës.

Në këtë mënyrë NATO u formua me 12 vende në vitin 1949.

Për shkak se ka ndjekur politikën me "dyer të hapura", NATO gjatë viteve është zgjeruar 8 herë dhe e ka rritur në 30 numrin e anëtarëve të saj.

Zgjerimi i parë u shënuar kur Türkiye dhe Greqia u bashkuan me NATO-n në 1952. Në vitin 1955, Aleancës iu bashkua Gjermania e njohur atëherë si Gjermania Perëndimore ndërsa në vitin 1982 iu bashkua edhe Spanja.

Në vitin 1999, me NATO-n u bashkuan Çekia, Hungaria dhe Polonia, në 2004 Bullgaria, Letonia, Lituania, Estonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia ndërsa në vitin 2009 Shqipëria dhe Kroacia dhe në vitin 2017 Mali i Zi.

Zgjerimi i fundit u bë në vitin 2020 me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.

Dyert e NATO-s janë të hapura, por anëtarësimi është i vështirë

Edhe pse NATO ndjek politikën me "dyer të hapura", për t'u anëtarësuar në aleancë nevojitet unanimitet dhe proces shumë i gjatë, me shumë faza.

Procesi, ashtu si në rastin e Suedisë dhe Finlandës fillon me vendimin e aleatëve të NATO-s për bashkimin e një anëtari të ri në aleancë, i cili pasohet nga një ftesë zyrtare nga NATO.

Më pas, në selinë qendrore në Bruksel, diskutohet nëse vendi në fjalë i përmbush kërkesat politike, ligjore dhe ushtarake të NATO-s dhe nëse mund të përmbushë apo jo detyrimet ekonomike, ushtarake, ligjore, politike dhe të inteligjencës të anëtarësimit në NATO.

Në hapin tjetër të mëpasshëm, vendi i ftuar i dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s letrën e qëllimit, në të cilën deklaron se pranon kushtet dhe detyrimet e anëtarësimit në NATO dhe i cili përfshin planin e reformës, nëse bie dakord në negociata.

Pas kësaj, NATO përgatit protokolle shtesë të pranimit në Traktatin e Washingtonit. Këto protokolle nënshkruhen nga vendet e NATO-s.

Në vazhdim, protokollet duhet të miratohen nga shtetet anëtare të NATO-s në përputhje me ligjet dhe procedurat e tyre kombëtare. Të gjitha shtetet anëtare, pasi kanë përfunduar proceset e tyre të miratimit, njoftojnë SHBA-në, e cila ka ruajtur Traktatin e Washingtonit, se kanë pranuar protokollet që parashikojnë anëtarësimin e anëtarit të ri.

Kur të përfundojnë të gjitha fazat, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s fton anëtarin e ri t'i bashkohet Aleancës.

Në fund edhe anëtari i ri përfundon procesin e tij ligjor kombëtar dhe dorëzon dokumentin e anëtarësimit në SHBA dhe procesi i anëtarësimit përfundon.

Ukraina, Gjeorgjia dhe Bosnjë e Hercegovina janë në pritje

Tri vendet kanë potencuar objektivat e tyre për anëtarësim në NATO që nga fillimi i viteve 2000. Por, NATO thekson se të tri vendet nuk janë ende të gatshme për të përmbushur kushtet dhe detyrimet e nevojshme.

Në samitin e vitit 2008 në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë, NATO ra dakord që Ukraina dhe Gjeorgjia të bëhen anëtare në të ardhmen. Bashkëpunimi i NATO-s u zhvillua me këto vende, të cilat që nga ajo periudhë përmenden si "partnere". Ndërkohë që të dy vendet marrin pjesë në operacionet e NATO-s, gjithashtu edhe NATO i mbështet këto vende për të rritur kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Megjithatë, ende nuk përmendet asnjë datë për anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO.

Në të njëjtin samit u vendos që me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën të vendosej “dialog i intensifikuar” dhe ndërkohë që Mali i Zi u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, nuk ka ende një vendim lidhur me Bosnjë e Hercegovinën.

E ftuar për t'u përfshirë në Planin e Veprimit të Anëtarësimit në 2010, Bosnjë e Hercegovina merr pjesë në shumë programe të NATO-s.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın