Bota

"NATO mund ta ketë fituar këtë luftë, por qytetarët e Kosovës e fituan paqen"

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton i cili po qëndron në Kosovë bashkë me ish-sekretaren e Shtetit Madeline Albright kanë thënë se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë ka qenë nder dhe drejtësi

Agim Sulaj   | 12.06.2019
"NATO mund ta ketë fituar këtë luftë, por qytetarët e Kosovës e fituan paqen" ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Qindra qytetarë së bashku me udhëheqës të institucioneve të larta të Kosovës, diplomatë e të ftuar nga rajoni dhe bota kanë marrë pjesë sot në pritjen e ish-presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton dhe ish-sekretares së Shtetit, Madeline Albright, për Ditën e Çlirimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në manifestimin qendror për nder të 20 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë më 12 Qershor 1999, morën pjesë edhe komandanti i atëhershëm i NATO-s, Wesley Clark, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, e të tjerë. 

Në manifestimin, i cili nga lartë shfaqte simbolin e NATO-s, ish-presidenti amerikan Clinton shpalosi disa nga kujtimet e ardhjes së tij në Kosovë gjatë vitit 1999. Clinton ka deklaruar se është nder i madh për të lidhja që ka me Kosovën si dhe qëndrimi në krah me këtë popull kundër spastrimit etnik. 

“Më kujtohen fytyrat e qytetarëve që takova para 20 vitesh në shkollën fillore në Ferizaj. Atë ditë thash diçka që dua ta them edhe sot. 79 ditë të sulmeve ajrore NATO mund ta ketë fituar këtë luftë. Por, qytetarët e Kosovës e kanë fituar paqen. 20 vite më vonë unë mendoj që keni bërë një punë të mrekullueshme nga fitorja e kësaj paqeje”, tha ai.

Clinton gjithashtu duke folur për 20 vjetët pas çlirimit, u bëri thirrje të gjithë kosovarëve, të mos ikin nga Kosova, por të punojnë dhe veprojnë në Kosovë, ta ndërtojnë të ardhmen në vendlindje.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, tha se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, “ishte i drejtë”. Albright tha se fitorja erdhi për shkak të kauzës së drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës. Me të pranishmit ajo ndau disa nga momentet kur bisedoi me ish-presidentin Clinton për ndërhyrjen në Kosovë.

“Nuk ishte vendim i lehtë siç mund ta imagjinoni dhe për këtë kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton donte të bindej se Kosova ishte e sigurt. Dhe në një mbrëmje kur filluan bombardimet ai më telefonoi në mesnatë dhe më tha ‘Madeline, avionët u kthyen, ne po bëjmë punën e duhur ne po bëjmë gjënë e duhur’ dhe unë i thash ‘po, zotëri president ne po bëjmë gjënë e duhur’”, kujtoi Albright.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, bota e qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm. 

Ai tha se 12 Qershori është Ditëlindja e Lirisë së Kosovës.

“Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës, atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli, atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet”, tha Thaçi.

Gjatë këtij manifestimi një flamur i madh kombëtar i ngjitur me atë amerikan u shfaq nga qytetarët e pranishëm. Gjithashtu në fillim të ceremonisë u mbajt një minutë heshtje për dëshmorët dhe martirët e luftës.

Gjatë ditës do të zbulohet edhe një bust i Madeline Albright në qendër të Prishtinës ndërsa do të ketë ecje të pjesëmarrësve përgjatë sheshit në qendër dhe sheshit “Bill Clinton”.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın