Bota

Në sulmet e regjimit të Asadit në periferinë e Idlibit humbën jetën 7 civilë

Sipas informacionit të marrë nga burimet e Mbrojtjes Civile Siriane (Helmetat e Bardha), forcat e regjimit sulmuan fshatin Iblin, në jug të Idlibit

Ahmet Karaahmet   | 22.07.2021
Në sulmet e regjimit të Asadit në periferinë e Idlibit humbën jetën 7 civilë ( Muhammed Said - Anadolu Agency )

Idlib

Në Siri regjimi i Bashar al-Asadit dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani sulmuan fshatin Iblin brenda zonës së de-eskalimit në Idlib ku u vranë 7 civilë dhe 3 tjerë u plagosën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacionit të marrë nga burimet e Mbrojtjes Civile Siriane (Helmetat e Bardha), forcat e regjimit sulmuan fshatin Iblin, në jug të Idlibit.

Në sulm humbën jetën 7 civilë, përfshirë një grua dhe 3 fëmijë ndërsa 3 të plagosurit tjerë u dërguan në spitalet përreth.

Nga ana tjetër avionët luftarakë të cilët vëzhguesit e avionëve të opozitës njoftuan se i përkisnin Rusisë, filluan një sulm ajror në fshatrat Bara, Ihsim dhe Mirayan në orët e hershme të mëngjesit në jug të Idlibit.

- Gjendja në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana u shpallën "4 zona të de-eskalimit", përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.

Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha në rajonin e de-eskalimit në Idlib.

Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.

Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın