Politikë, Bota

Moska: Uzbekistani nuk dëshiron misionin amerikan

"Fqinjët tanë, aleatët, partnerët strategjikë të Azisë Qendrore në kontakt me ne konfirmojnë se për ta, thirrje të tilla (për të vendosur një mision ushtarak amerikan) janë të papranueshme", tha Lavrov

Elena Teslova   | 14.10.2021
Moska: Uzbekistani nuk dëshiron misionin amerikan

Moskë

Pavarësisht kontakteve të vazhdueshme midis ushtrisë së Uzbekistanit dhe SHBA-së, Moska vazhdon të mohojë se Uzbekistani do të autorizojë vendosjen e misionit ushtarak amerikan në territorin e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, pohoi se homologët e Rusisë të vendeve të Azisë Qendrore, përfshirë Uzbekistanin, qëndrojnë të vendosur në "mospëlqimin e tyre për të pritur trupat amerikane".

"Fqinjët tanë, aleatët, partnerët strategjikë të Azisë Qendrore në kontakt me ne konfirmojnë se për ta, thirrje të tilla (për të vendosur një mision ushtarak amerikan) janë të papranueshme", tha Lavrov në një konferencë për media pas takimit të Këshillimi të Ministrave të Jashtëm të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura.

Ai theksoi se "të gjithë miqtë tanë të Azisë Qendrore thonë se nuk duan vendosjen e SHBA-së ose të ndonjë vendi tjetër të NATO-s".

Po ashtu edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka reaguar lidhur me këtë çështje, duke theksuar se nënsekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, e cila vizitoi Rusinë këtë javë, iu tha se vendosja e infrastrukturës ushtarake të SHBA-së ose NATO-s në Azinë Qendrore është "kategorikisht e papranueshme për Rusinë".

Ndërkohë, Uzbekistani javët e fundit ka mirëpritur mysafirë të shumtë amerikanë, përfshirë një delegacion të Pentagonit i cili aktualisht po diskuton me autoritetet e Uzbekistanit për mundësinë e vendosjes së forcave kundër terrorizmit, që synojnë të mbikëqyrin Afganistanin dhe të godasin objektiva në këtë vend nëse është e nevojshme.

Në muajin korrik, ministri i Punëve të Jashtme i Uzbekistanit, Abdulaziz Kamilov, u takua në Washington me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, për të diskutuar bashkëpunimin më të gjerë në fushën e sigurisë.

Pas një takimi, Blinken në rrjetet sociale shkroi se "Uzbekistani është një partner i rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin rajonal".

Në këmbim të marrëveshjes së Uzbekistanit mbi marrëveshjet ushtarake, SHBA-ja premton bashkëpunim dhe privilegje më të gjera ekonomike, përfshirë heqjen e disa barrierave tregtare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.