Dmitri Chirciu
05 Korrik 2021•Përditësim: 06 Korrik 2021
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është e shqetësuar për destabilizimin e situatës në Afganistan, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne jemi të shqetësuar për situatën e fundit në këtë vend pas tërheqjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj nga Afganistani. Ne po monitorojmë problemin nga afër dhe, për fat të keq, ne vërejmë se situata është destabilizuese", tha Peskov në një konferencë për media në Moskë.
Duke vlerësuar mundësinë e dërgimit të trupave ruse në Afganistan, Peskov vuri në dukje se për këtë mundësi "nuk janë konsultuar" me administratën afgane dhe talebanët.
Duke folur për mundësinë e dërgimit të trupave shtesë ruse në kufirin midis Taxhikistanit dhe Afganistanit, Peskov shtoi: "Unë nuk mund të them asgjë për dërgimin e trupave shtesë. Situata nuk po përparon mirë. Vendimet e nevojshme sipas situatës do të merren nga forcat tona kufitare".
Situata në Afganistan është përkeqësuar pasi presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se të gjitha forcat amerikane do të tërhiqen nga vendi i shkatërruar nga lufta deri më 11 shtator dhe aleatët e NATO-s kanë njoftuar se do të bëjnë të njëjtën gjë.
Procesi i paqes në Afganistan po bëhet gjithnjë e më i pasigurt dhe tërheqja e paqeruajtësve të huaj ka intensifikuar dhunën në atë vend.
Talebanët kanë marrë kontrollin e 45 rretheve në Afganistan në dy muajt e fundit dhe aktualisht kontrollojnë më shumë se 13 rajone të këtij vendi.
Sipas OKB-së, talebanët kontrollojnë midis 50 dhe 70 për qind të territorit të Afganistanit.
Përplasjet midis forcave afgane dhe talebanëve vazhdojnë në të paktën 190 rrethe.