Bota

Ministrja izraelite thirrje për anulimin e marrëveshjes së transportimit të naftës me EBA-në

Zyrtarët nga EBA thuhet se paralajmëruan për një krizë me qeverinë izraelite nëse marrëveshja anulohet, mes paralajmërimeve se veprimi mund të ndikojë në marrëveshjen e tyre të normalizimit

Ekip   | 16.06.2021
Ministrja izraelite thirrje për anulimin e marrëveshjes së transportimit të naftës me EBA-në

Ankara

Ministrja izraelite e Mbrojtjes së Mjedisit, Tamar Zandberg ka kërkuar të anulohet një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për të transportuar naftë bruto të EBA-së përmes Izraelit në Evropë, duke përmendur shqetësime mjedisore dhe të sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta izraelite "Israel Hayom" tha se një krizë diplomatike shfaqet midis Tel Avivit dhe Abu Dhabi-it pas kërkesës së ministres Zandberg, që i përket partisë së majtë Meretz, për të anuluar marrëveshjen e nënshkruar midis kompanisë shtetërore "Europe Asia Pipeline Co (EAPC)" dhe kompanisë nga emiratet "MED-RED Land Bridge Ltd" për të transportuar naftë bruto dhe lëndë djegëse nga Gjiri në tregjet perëndimore përmes një tubacioni midis qytetit Eilat në Detin e Kuq dhe portit mesdhetar Ashkelon.

Zyrtarët nga EBA thuhet se paralajmëruan për një krizë me qeverinë izraelite nëse marrëveshja anulohet, mes paralajmërimeve se veprimi mund të ndikojë në marrëveshjen e tyre të normalizimit, e cila u nënshkrua midis dy vendeve në shtator të vitit 2020.

Deri më tani, as qeveria izraelite dhe as autoritetet në EBA nuk konfirmuan raportimin e gazetës, e cila është e afërt me ish-kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Vitin e kaluar, aktivistët izraelitë të mjedisit organizuan tubime për të protestuar kundër marrëveshjes midis dy vendeve.

Marrëveshja midis Izraelit dhe EBA-së ka ngritur shqetësime në Egjipt pasi do të ndikojë në transportimin e naftës përmes Kanalit të Suezit ku mund të preken të ardhurat e tij.

Në shtator të vitit 2020, EBA dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre. Që nga ajo kohë, të dy vendet kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme, përfshirë investimet, shërbimet bankare dhe turizmin.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın