Bota

Ministrja e Jashtme gjermane kërkon nga Rusia të zgjedhë diplomacinë për Ukrainën

Përpara vizitës së saj në Moskë, Baerbock tha se vendet perëndimore janë "të vendosura të përgjigjen" nëse Rusia përshkallëzon konfliktin me Ukrainën

Ayhan Şimşek   | 17.01.2022
Ministrja e Jashtme gjermane kërkon nga Rusia të zgjedhë diplomacinë për Ukrainën

Berlin

Gjermania kërkoi sot nga Rusia që të tërhiqet nga kërcënimet e saj ushtarake dhe të ndjekë një zgjidhje diplomatike për krizën e Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se takimet e saj sot në Kiev dhe nesër në Moskë do të fokusohen në uljen e tensioneve dhe ringjalljen e bisedimeve të formatit të Normandisë.

“Dua të zbuloj nëse ka një vullnet për të kërkuar zgjidhje përmes mjeteve diplomatike, veçanërisht për të rigjallëruar procesin e Normandisë dhe më në fund për të bërë përparim në zbatimin e marrëveshjeve të Minskut”, tha ajo.

Vërejtjet e saj erdhën mes shqetësimeve në rritje për grumbullimin e fundit të trupave ruse në kufirin ukrainas dhe frikës për një sulm të ri ushtarak në vend.

Gjermania dhe Franca ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi në vitin 2015 për konfliktin ukrainas, por bisedimet e formatit të Normandisë ndërmjet palëve të konfliktit kanë ngecur, ku të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të Minskut.

Baerbock tha se Gjermania dhe aleatët e saj perëndimorë janë të gatshëm për një "dialog serioz" me Rusinë për çështjet e sigurisë evropiane, por se nuk do të përkulen para kërkesave të Moskës për Ukrainën.

“Ne nuk mund dhe nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet themelore të Aktit Final të Helsinkit, të cilat e kanë shpëtuar Evropën nga makthi i një lufte të madhe për 50 vitet e fundit”, tha ajo.

“Këto përfshijnë paprekshmërinë e kufijve, të drejtën e çdo shteti për të zgjedhur lirisht aleancat e tij dhe përmbajtja nga kërcënimet e përdorimit të forcës si mjet politik. Ne jemi të vendosur të përgjigjemi nëse Rusia zgjedh të përshkallëzon situatën”, shtoi ajo.

Administrata amerikane ka paralajmëruar kohët e fundit aleatët e saj evropianë për sulmin e mundshëm ushtarak të Rusisë, duke pretenduar se Moska po planifikon të kryejë një operacion për të arsyetuar pushtimin e Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për CNN të dielën se Rusia nuk po kërcënon askënd me veprime ushtarake, por "do të jetë e gatshme të ndërmarrë kundërveprim".

Peskov akuzoi NATO-n për tensionet e fundit dhe shtoi se Rusia "duhet të bëjë diçka" nëse aleanca ushtarake injoron shqetësimet e Moskës për sigurinë.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın