Bota

Ministri ukrainas: Lufta e Rusisë i ka shkaktuar infrastrukturës së Ukrainës dëm rreth 100 miliardë dollarë

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Kubrakov tha se lufta i ka shkaktuar një dëm të madh infrastrukturës në Ukrainë

Bahattin Gönültaş  | 20.05.2022 - Përdıtësım : 21.05.2022
Ministri ukrainas: Lufta e Rusisë i ka shkaktuar infrastrukturës së Ukrainës dëm rreth 100 miliardë dollarë

Leipzig

Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov, njoftoi se lufta e filluar nga Rusia ndaj vendit të tyre i ka shkaktuar infrastrukturës një dëm prej rreth 100 miliardë dollarësh.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Kubrakov tha se lufta i ka shkaktuar një dëm të madh infrastrukturës në Ukrainë.

"Askush nuk mundi ta parashikojë që në shekullin 21 në Evropë do të ishte një vend që lufton kundër një vendi tjetër. Por aktualisht lufta po ndodh", tha Kubrakov, duke theksuar se lufta i ka shkaktuar infrastrukturës së Ukrainës një dëm prej rreth 100 miliardë dollarësh.

"Ekonomistët përllogarisin se dëmi i shkaktuar ndaj infrastrukturës, infrastrukturës së transportit dhe ndërtesave që nga fillimi i luftës është rreth 100 miliardë dollarë. Qytetet e mëdha si Mariupoli dhe disa qytete të tjera në lindje të Ukrainës pothuajse janë shkatërruar. Dhe ky shkatërrim po vazhdon. Para luftës kishim filluar shumë projekte infrastrukturore. Pas përfundimit të sulmit të Rusisë, duam të përdorim asetet ruse të ngrira në vendet Perëndimore për të ndihmuar rindërtimin e infrastrukturës", deklaroi ndër të tjera Kubrakov.

Duke theksuar se përdorimin e parave të Rusisë në rindërtimin e Ukrainës e shikojnë si një nga "zgjidhjet kyçe", Kubrakov më tej tha:

"Këto para do të jenë një prej burimeve kryesore të financimit për rindërtimin e Ukrainës. Për mendimin tim kjo është e drejtë. Sepse një vend ka filluar një luftë që shkatërron një pjesë të rëndësishme të një vendi tjetër. Për këtë arsye, ata janë të detyruar të paguajnë për rindërtimin e Ukrainës. Kemi besim se aleatët tanë në botën perëndimore do të zhvillojnë mekanizma për të ndihmuar se si do të përdoren asetet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse për të rindërtuar Ukrainën".

Kubrakov u shpreh se në Forumin Ndërkombëtar të Transportit (ITF) të mbajtur në qytetin Leipzig të Gjermanisë, ministrave të transportit nga vende të ndryshme iu shpjegua se çfarë dëmi u është shkaktuar aeroporteve, urave, stacioneve të trenave dhe infrastrukturave të tjera të transportit të Ukrainës dhe se nga ministrat u kërkua të ndihmohet Ukraina dhe zbatimi i më shumë sanksioneve ndaj Rusisë për ndalimin e këtyre shkatërrimeve.

Pasi rikujtoi marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Ukrainës, Kubrakov vuri theksin se kompanitë turke të ndërtimit kanë qenë aktive para luftës në Ukrainë dhe se për ato do të ketë nevojë në rindërtimin e infrastrukturës.

Ministri Kubrakov bëri të ditur se në forumin e mbajtur në Gjermani ka zhvilluar një takim special me ministrin turk të Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoğlu. Në lidhje me takimin Kubrakov tha: "Kompanitë turke të ndërtimit janë shumë aktivë në tregun tonë. Disa prej tyre kryejnë projekte të rëndësishme në Ukrainë. Me ministrin turk biseduam përfshirjen e këtyre kompanive në rindërtimin pas luftës dhe se si do të na ndihmojnë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.