Politikë, Bota

Migrantët në Gjermani kërkojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e përgjithshme

Sipas aktivistëve, rreth 14 për qind e të rriturve për të cilët Gjermania është bërë një shtëpi e dytë, nuk kanë asnjë fjalë në vendimmarrjen politike që i prek ata

Ekip   | 20.09.2021
Migrantët në Gjermani kërkojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e përgjithshme

Berlin

Aktivistët thonë se pothuajse 10 milionë njerëz që jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksa në Gjermani nuk do të jenë në gjendje të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 26 shtatorit për shkak të mungesës së të drejtave të shtetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aktivistët kanë kërkuar të drejtën e votës për emigrantët që jetojnë në vend për më shumë se 5 vjet.

Sipas tyre, rreth 14 për qind e të rriturve për të cilët Gjermania është bërë një shtëpi e dytë, nuk kanë asnjë fjalë në vendimmarrjen politike që i prek ata.

Neni 116 i Kushtetutës së vendit përcakton se vetëm qytetarët gjermanë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet kombëtare dhe shtetërore.

“Personave pa shtetësi gjermane u mohohet pjesëmarrja në zgjedhje. Kjo do të thotë se ata nuk kanë asnjë mënyrë për t'u përfshirë politikisht", tha Sanaz Azimipour, bashkëthemeluese e MigLoom, një shoqatë e cila mbështet pjesëmarrjen politike të emigrantëve të gjeneratës së parë.

Sipas MigLoom, fakti që nuk mund të merrni pjesë në ngjarjen më të madhe politike në vend, zgjedhjet e Bundestagut, megjithëse vendbanimi kryesor i dikujt është në Gjermani, është një nga aspektet më të rëndësishme të diskriminimit strukturor, dhe kjo do të vazhdojë përderisa të prekurit nuk përfaqësohen në politikë.

Shoqëria civile nis një peticion për të ndryshuar ligjet e votimit

Pas fushatës është një grup personash mjaft heterogjen, përfshirë studentë, punëtorë, mësues, gazetarë, shkencëtarë dhe artistë. Fushata paraqiti një peticion për këtë çështje në faqen e internetit Change.org, të cilën deri para pak ditësh e kishin nënshkruar rreth 5.000 persona.

Peticioni "Jo pa ne 14 për qind" nuk është nisma e parë që është marrë me të drejtën për të votuar për personat pa shtetësi gjermane.

“Në fushatat e tjera, janë kryesisht njerëzit që flasin ata që kanë privilegjin të votojnë dhe nuk preken. Por ne duam të flasim këtu vetë. Si një vend demokratik, Gjermania duhet të ndryshojë ligjet e saj jodemokratike", tha Azimipour.

Komentet e saj mbështeten edhe nga kolegia aktiviste Azadeh Ataei, i cili theksoi se e drejta për të votuar duhet të jetë me të vërtetë një e drejtë, jo një privilegj.

“E drejta për të votuar është kërkesa themelore për demokracinë. Nuk mund të ndodhë që 10 milionë njerëz që nuk kanë nënshtetësi gjermane të përjashtohen nga kjo demokraci”, tha ajo.

"Ne nuk duam përsëri thjesht të shikojmë zgjedhjet e përgjithshme", shtoi Ataei.

Fushata synon të jetë një urë lidhëse midis personave të prekur dhe atyre që tashmë kanë një zgjedhje.

Ekspertët të ndarë rreth mundësisë për ndryshime kushtetuese mbi të drejtat e votimit të emigrantëve

Sipas gazetës "Neues Deutschland" me qendër në Berlin, shumë politikanë e shohin zgjidhjen e problemit në thjeshtimin e ligjit të natyralizimit në mënyrë që emigrantët të mund të marrin më lehtë shtetësinë gjermane. Por, fakti që deri më tani vetëm emigrantët e natyralizuar janë lejuar të votojnë, do të thotë se e drejta për të votuar është një privilegj dhe jo e drejtë.

Nga ana tjetër, shumë emigrantë nuk duan të natyralizohen sepse, për shembull, ata duan të vazhdojnë të udhëtojnë në vendin e tyre të lindjes pa asnjë problem.

Përveç aspekteve politike të fushatës, lind pyetja nëse inkuadrimi e së drejtës për të votuar për të huajt që jetojnë ligjërisht në Gjermani është e mundur brenda kuadrit të kushtetutës së vendit.

Avokati nga Berlini, Matthias Zieger mendon se kjo nuk do të ishte e mundur pa një ndryshim kushtetues. Për më tepër, është e diskutueshme nëse një ndryshim i tillë do të ishte i lejueshëm.

Zieger po i referohet një vendimi të Gjykatës Federale Kushtetuese që daton që nga viti 1990, në të cilin futja e së drejtës për të votuar për të huajt në nivelin komunal në shtetet veriore gjermane Schleswig-Holstein dhe Hamburg "u shpall jokushtetuese dhe e pavlefshme".

Profesori Hans Meyer, një avokat kushtetues në Universitetin Humboldt të Berlinit, merr një qëndrim të ndryshëm.

Duke folur për transmetuesin publik ARD, Meyer tha: “Në nenin vendimtar 20 (të Kushtetutës), ai thotë vetëm; ‘Populli voton’ dhe jo, për shembull, ‘populli gjerman voton’. Në momentin që dikush e interpreton këtë si popull gjerman, votuesit e mundshëm reduktohen në shtetas. Nuk ka asgjë në Kushtetutë në lidhje me pyetjen nëse të huajt që jetojnë këtu lejohen të votojnë apo jo".

"Kushtetuta thotë vetëm se ligjvënësi përcakton se kush ka të drejtë të votojë", shtoi ai.

Bazuar në këtë vlerësim, Meyer arriti në përfundimin se është e arsyeshme të thuhet se njerëzit që janë integruar plotësisht në Gjermani, të cilët jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksat e tyre dhe i nënshtrohen ligjit gjerman, kanë të drejtë të votojnë si shtetas gjermanë.

Disa vende të BE-së u japin të drejta votimi të huajve

Ndryshe nga Gjermania, shumë vende të Bashkimit Evropian tashmë u lejojnë të huajve të drejtën e votës. Këto përfshijnë Belgjikën, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Irlandën, Holandën dhe Islandën.

Në Holandë, të gjithë të huajt që kanë jetuar në vend për 5 vjet mund të votojnë në zgjedhjet lokale dhe madje të kandidojnë vetë për poste. Në Irlandë, të huajve u kërkohet të kenë qenë në vend vetëm për 6 muaj për të ushtruar të drejtën e votës në nivel lokal. Në Danimarkë, minimumi është 3 vjet. Megjithatë, në Francë dhe Austri, si në Gjermani, qytetarët që nuk janë të BE-së nuk kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet lokale.

Rreth 45 vende të botës gjithashtu u kanë dhënë të drejtën e votës migrantëve në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın