Bota

Merkel thirrje për marrëdhënie "konstruktive" me Turqinë

Kancelarja gjermane tha se presidenca e radhës e Gjermanisë në BE do të vazhdojë përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore për rritjen e tensioneve në rajon

Ayhan Şimşek   | 01.10.2020
Merkel thirrje për marrëdhënie "konstruktive" me Turqinë

Berlin

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të tensioneve në Mesdheun Lindor dhe nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve "konstruktive" me Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para gazetarëve në Bruksel përpara një samiti të liderëve evropianë, Merkel tha se presidenca e radhës e Gjermanisë në BE do të vazhdojë përpjekjet e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore për rritjen e tensioneve në rajon.

“Marrëdhëniet tona me Turqinë janë shumë komplekse. Përkundër të gjitha vështirësive, BE-ja ka një interes të madh në zhvillimin e marrëdhënieve konstruktive me Turqinë”, theksoi ajo.

Merkel përsëriti solidaritetin e bllokut me anëtarët e BE-së, Greqinë dhe administratën greke qipriote, por nuk ofroi mbështetje për thirrjen e tyre për të vendosur sanksione shtesë kundër Turqisë, për shkak të tensioneve të fundit në Mesdheun Lindor.

Kancelarja gjermane nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Ankaranë për çështjet me interes të përbashkët.

"Ne jemi partnerë në NATO. Jemi të varur nga njëri-tjetri në adresimin e migracionit të parregullt”, tha ajo, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Turqinë për pritjen e pothuajse 4 milionë refugjatëve sirianë.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës greke qipriote në rajon dhe ka theksuar se këto pretendime të tepruara shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.

Ankaraja ka dërguar disa anije shpimi në javët e fundit për të eksploruar për energji në shelfin e saj kontinental, duke kërkuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın