Bota

Mbretëri e Bashkuar, koronavirusi shpallet “kërcënim serioz” për shëndetin publik

Qeveria në njoftim theksoi se masat e përshkruara në këto rregullore konsiderohen si një mënyrë efektive për të vonuar ose parandaluar transmetimin e mëtejshëm të virusit

Büşra Nur Bilgiç Çakmak  | 10.02.2020 - Përdıtësım : 11.02.2020
Mbretëri e Bashkuar, koronavirusi shpallet “kërcënim serioz” për shëndetin publik

Ankara

Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar koronavirusin “një kërcënim serioz dhe të menjëhershëm” për shëndetin publik në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sekretari i Shtetit deklaron se incidenca ose transmetimi i koronavirusit përbën një kërcënim serioz dhe të menjëhershëm për shëndetin publik”, tha në një njoftim qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria në njoftim theksoi se masat e përshkruara në këto rregullore konsiderohen si një mënyrë efektive për të vonuar ose parandaluar transmetimin e mëtejshëm të virusit.

Po ashtu qeveria përcaktoi spitalin Arrow Park dhe Kents Hill Park si objekte “izolimi”, ndërsa qytetin Wuhan ku për herë të parë u shfaq koronavirusi dhe provincën e këtij qyteti Hubei si “zona të infektuara”.

Dje, Komisioni i Shëndetit i Kinës tha se numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit është rritur në 909.

Autoritetet po ashtu thanë se janë raportuar 40.117 raste të konfirmuara, ndërsa në 24 orët e fundit 97 persona kanë vdekur dhe mbi 3.00 raste të reja janë zbuluar

Numri i personave nën vëzhgim mjekësor është rritur në 187.518, ndërsa numri i atyre që mendohet se janë të infektuar është 23.589.

Jashtë Kinës, numri i të zbuluarve me koronavirus në Hong Kong ka arritur në 36, ndërsa në Macau ka arritur në dhjetë. Jashtë Kinës, në Filipine po ashtu një person ka humbur jetën nga koronavirusi.

Thuhet se virusi është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.

Shumë vende kanë evakuuar qytetarët e tyre nga qyteti Wuhan dhe nga zona të tjera të prekura të Kinës, duke i vendosur ata në kujdes mjekësor të izoluar.

Ky virus është përhapur në mbi 20 vende të tjera, përfshirë në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Singapor, Francë, Rusi, Spanjë dhe Indi.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka shpallur shpërthimin e koronavirusit si një emergjencë ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.