Faisal Mahmud
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Më shumë se 8.000 njerëz mbetën në strehimoret e evakuimit, një javë pasi një tërmet prej 7.1 ballësh goditi prefekturën jugperëndimore të Japonisë, Kumamoto, pasi mungesa e vazhdueshme e ujit dhe nxehtësia ekstreme ndërlikuan përpjekjet për rikuperim, transmeton Anadolu.
Rreth 150 strehimore mbeten të hapura ndërsa rreth 12 mijë ndërtesa u dëmtuan nga tërmeti i 28 korrikut, thuhet në raport, duke cituar autoritetet prefekturale. Numri i viktimave është 38, përfshirë shtatë persona që humbën jetën në një shpërthim në qendrën tregtare "Aeon" në Kashima dhe nëntë në një fabrikë të "Nippon Paper Industries" në Yatsushiro.
Dy punonjëse femra humbën jetën në "Aeon Mall". Fillimisht ishin evakuuar pas tërmetit, por ishin udhëzuar nga punëdhënësi i tyre të ktheheshin brenda për të transferuar të ardhurat e shitjeve në një kasafortë përpara shpërthimit, sipas raporteve. Që atëherë, kompania u ka kërkuar falje familjeve të viktimave.
Kryeministrja Sanae Takaichi vizitoi Kumamoton të hënën, duke inspektuar një strehë evakuimi dhe duke vlerësuar dëmet. Ajo tha se qeveria do ta cilësonte tërmetin një "katastrofë të ashpërsisë ekstreme", duke i lejuar bashkitë e prekura të marrin subvencione në rritje për rindërtimin.
Kabineti i saj miratoi sot rreth 24.2 miliardë jen (150 milionë dollarë) nga fondet rezervë për operacionet e ndihmës, përfshirë strehimin e përkohshëm, riparimet e infrastrukturës dhe furnizimet emergjente. Ndërprerjet e ujit vazhduan të prekin afërsisht 45 mijë familje në pesë komuna pasi temperaturat tejkaluan 35 gradë Celsius në shumë zona, me disa që arritën në 40 gradë Celsius.
Kyushu Shinkansen mbetet i pezulluar midis Kumamotos dhe Kagoshima-Chuos ndërsa pjesët e autostradës Kyushu mbeten të mbyllura për trafikun e përgjithshëm.