Mbi 6 milionë njerëz në Xhakarta të Indonezisë vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes për shkak të ndotjes alarmante të
- Mbi 7 mijë rezultate të pafavorshme shëndetësore tek fëmijët, mbi 10 mijë vdekje të parakohshme dhe mbi 5 mijë shtrime në spital çdo vit në Xhakarta mund t'i atribuohen drejtpërdrejtë cilësisë së dobët të ajrit të qytetit

Ankara
ANKARA (AA) - Më shumë se 6 milionë njerëz në kryeqytetin Xhakarta të Indonezisë janë prekur nga infeksione akute të frymëmarrjes për shkak të ndotjes së ajrit që po përkeqësohet, transmeton Anadolu.
Siç raporton portali 'Jakarta Globe', ministri i Mjedisit i Indonezisë, Hannif Faisol Nurofiq, tha se cilësia e ajrit në disa pjesë të Xhakartës ka arritur nivele të rrezikshme.
Ai paralajmëroi se ndotja në rrethet veriore të Xhakartës dje është rritur në nivele të rrezikshme nga mesdita, me të dhëna në kohë reale nga aplikacionet e cilësisë së ajrit dhe stacionet publike të monitorimit që konfirmojnë kushtet e përkeqësuara.
"Burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Xhakartë janë emetimet industriale dhe kamionët e kontejnerëve", tha Hanif.
Rreth 6.800 oxhaqe industriale janë të regjistruara në zonat e kryeqytetit, edhe pse numri aktual mund të jetë më i lartë për shkak të operacioneve pa licencë.
"Ne kemi filluar të godasim aktivitetet e djegies në natyrë, veçanërisht në metalurgji dhe industritë e shkrirjes së xeherorëve", tha ai.
Ministri indonezian theksoi se ndikimi i ndotjes në shëndet është tashmë i rëndë, me të dhëna paraprake që tregojnë se mbi 6 milionë njerëz në Xhakarta kanë zhvilluar simptoma të frymëmarrjes, duke përfshirë infeksione akute që mund të përkeqësojnë kushtet ekzistuese.
Në një studim të vitit 2023, Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë e SHBA-së zbuloi se ndotja e ajrit në Xhakarta, veçanërisht për shkak të grimcave të imëta (PM2.5) dhe ozonit në nivelin e tokës (O₃), është përgjegjëse për barra të konsiderueshme shëndetësore.
Mbi 7 mijë rezultate të pafavorshme shëndetësore tek fëmijët, mbi 10 mijë vdekje të parakohshme dhe mbi 5 mijë shtrime në spital çdo vit në Xhakarta mund t'i atribuohen drejtpërdrejtë cilësisë së dobët të ajrit të qytetit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.