Bota

"Mbi 340.000 sirianë kthehen në shtëpi nga Turqia"

Refugjatët u kthyen në zonat e pastruara nga terroristët në Siri nga operacionet ushtarake turke, thotë ministri i jashtëm i Turqisë

Rabia İclal Turan,Gözde Bayar   | 23.08.2019
"Mbi 340.000 sirianë kthehen në shtëpi nga Turqia" ( Cem Özdel - Anadolu Agency )

Ankara/Bejrut

Qindra mijëra sirianë janë kthyer në shtëpi në pjesë të Sirisë të pastruara nga grupet terroriste në operacionet ushtarake turke përtej kufirit, tha ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

"Mbi 346 mijë sirianë janë kthyer në zonat në Siri të cilat u pastruan nga terroristët në operacionet 'Mburoja e Eufratit' dhe 'Dega e ullirit'", tha Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët për media në Liban me homologun e tij, Gebran Bassil, duke iu referuar operacioneve turke nga viti 2016.

Gjatë konferencës për media në kryeqytetin libanez Bejrut, ku po qëndron për vizitë zyrtare, Çavuşoğlu foli edhe për kthimin vullnetar të refugjatëve sirianë në shtetin e tyre.

Ai tha se Turqia mund të ndajë eksperiencën me Libanin se si të mundësojë siguri për refugjatët sirianë kur ata të kthehen në vendlindjen e tyre.

Turqia strehon rreth 3,6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo shtet tjetër në botë. Libani, me 1,5 milionë, është shteti i dytë.

Që nga viti 2016, operacionet turke "Mburoja e Eufratit" dhe "Dega e ullirit" në Sirinë veriore kanë çliruar rajonet Al-Bab, Afrin, dhe Azaz nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke e bërë të mundur kthimin në shtëpi të sirianëve të cilët braktisën vendin shkaku i dhunës.

Çavuşoğlu gjithashtu u takua me presidentin e Libanit, Michel Aoun, në Pallatin Beiteddine në afërsi të kryeqytetit të vendit.

Sipas burimeve diplomatike, përpos çështjeve dypalëshe dhe rajonale, në takim u diskutua edhe për refugjatët sirianë dhe palestinezë.

Aoun tha se rreth 1,5 milionë refugjatët sirianë në Libi duhet të kthehen në Siri, ndërsa ndihma duhet të vazhdojë t'u ofrohet atyre pasi të arrijnë në vendlindje.

Dy shtetet gjithashtu theksuan se ndajnë qëndrimet e njëjta për çështjen e Palestinës.

"Ne i përcollëm përshëndetjet e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan, për presidentin Michel Aoun. Ne theksuam rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit të Libanit vëllazëror për rajonin tonë. Ne diskutuam Sirinë, Palestinën dhe Mesdheun Lindor", shkroi Çavuşoğlu në twitter pas takimit.

Siria sapo ka filluar të dalë nga konflikti shkatërrues që filloi në vitin 2011 kur regjimi i Bashar al-Assad shtypi me egërsi protestat pro-demokratike.

Qindra mijëra civilë janë vrarë ose shpërngulur shkaku i konfliktit, kryesisht nga sulmet ajrore të regjimit që qëllojnë zonat e kontrolluara nga opozita.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın