Bota

Mashtrimet sistematike brenda FETO-s kanë arritur përmasa globale

Hakan Şükür, një i arratisur dhe ish-futbollist ka shpërndarë një video ku hapur tregon se e kanë mashtruar miqtë të cilëve u ka besuar

Hasan Esen  | 07.02.2020 - Përdıtësım : 10.02.2020
Mashtrimet sistematike brenda FETO-s kanë arritur përmasa globale

Londër

Organizata terroriste FETO, përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme dhe të dështuar të grusht shtetit në Turqi natën e 15 korrikut 2016, si dhe e përfshirë thellësisht në komplote të ndryshme, vjedhjet e pyetjeve të testeve të provimeve shtetërore-qoftë për avancim në detyrë apo provimeve pranuese, rastet e shantazheve me video-incizime me përmbajtje të qartë, vitet e fundit ka mashtruar edhe anëtarët e saj, raporton Anadolu Agency (AA).

Hakan Şükür, një i arratisur dhe ish-futbollist, ka shpërndarë një video ku hapur tregon se e kanë mashtruar miqtë të cilëve u ka besuar.

"Gjatë jetës sime në Amerikë, kam përjetuar shumë, madje edhe mashtrime nga miqtë, të cilëve u besova shumë", tha Şükür, duke zbuluar se e njëjta situatë ishte përhapur në të gjithë organizatën terroriste.

Ahmed Donmez, gazetar i gazetës së mbyllur "Zaman", shkroi në një tekst në faqen private të internetit se në SHBA, Britani, Gjermani dhe Poloni shumë njerëz janë mashtruar nga njerëz brenda organizatës të cilës i besuan shumë.

Teksti thotë se ata që ikën jashtë vendit u mashtruan në atë mënyrë që anëtarët e FETO-s, të cilëve u besuan, u morën para me premtimin se do t'u gjenin bashkëpunëtorë, do t'u hapin biznese dhe do t'u ndihmojnë me rastin e investimeve. 

- Ankesa te shefi e pasuksesshme

Ai theksoi se më vonë ishte bindur se njerëzit që thoshin "disa gjëra shkuan keq, ne falimentuam", "ne dështuam", në fakt ata folën për falimentim të rremë, kurse paratë u transferuan në disa kompani të tjera.

Ndërsa në disa vende kanë ndodhur grindje të ashpra midis viktimave dhe udhëheqësve të organizatës terroriste, në SHBA janë vërejtur edhe raste të trazirave ku disa kanë shkuar në gjykatë dhe madje kanë ngritur akuza për mashtrim.

"Disa tërë situatën ia kanë përcjellë personalisht dhe janë ankuar te Fetullah Gülen. Megjithatë, situata nuk ka ndryshuar", shkroi Donmez në tekstin e tij.

- "Thithin gjakun si një vampir"

Në tekst përmenden edhe mendimet e disa personave që janë mashtruar.

Një tregtar, emri i të cilit nuk u publikua, të cilit po ashtu i morën para tha se këtu është formuar një rrjet i caktuar i cili merr para nga njerëzi.

"Si vampirë ua thithin gjakun kolegëve që erdhën nga Turqia me shumë pak kapital", tha ai kurse një tjetër shtoi:

"Personalisht më mashtroi një njeri që është presidenti i shoqatës së biznesmenëve këtu", tha ai.

Në tekst më tej thuhet se një "biznesmen me profil shumë të lartë" në Angli, përndryshe anëtar i këtij grupi terrorist, pas 15 korrikut mblodhi 6 milionë paund brenda dy viteve, duke thënë se kishte falimentuar.

Po ashtu potencohet se një anëtar i FETO-s në Poloni, rreth 5-6 milionë dollarë, të cilat i kishte mbledhur nga anëtarët e organizatës që vinin nga Turqia, në fund duhej t'ia dorëzonte mafies.

- Mashtruesit në selinë e FETO-s mirëpriten si mysafirë të dalluar

Anëtarët e organizatës, të cilët ishin mashtruar ose dëshmitarët e rasteve, filluan të shpërndajnë përvojat e tyre hapur përmes mediave sociale.

Njëri prej tyre është Fuat Sari, i cili deklaroi hapur se ishte viktimë e disa personave nga FETO.

"Fatkeqësisht, një prej këtyre viktimave jam edhe unë. Rasti im ka të bëjë me mashtrim të vërtetë. Kjo është arsyeja pse përfundimisht u largova nga New Yorku", shkroi ai në mediat sociale, duke treguar se për çfarë bëhej fjalë.

Ai nuk dha emrin e personit që e mashtroi, por shkroi se ai ishte një njeri shumë i afërt me liderin e FETO-s Fetullah Gülen, të cilin në selinë e tij në Pensilvani e mirëpresin si mysafir të veçantë.

Një tjetër anëtar i organizatës tha se ai ishte mashtruar duke ia marrë të gjitha paratë një mashtrues i rekomanduar nga një mik i organizatës.

- "Tani kemi treguar karakterin tonë të vërtetë"

Një përdorues tjetër i mediave sociale me emrin Vavolli, duke kujtuar se si u mashtrua Hakan Şükür, shkroi se pas kësaj organizata do të mashtronte njerëzit e zakonshëm pa u menduar shumë.

"Eprorët tanë që ia bënë këtë Hakan Şükür-it, i cili për vite me radhë siguroi çdo formë mbështetjeje për organizatën, i cili qëndroi me lëvizjen, duke e lënë karrierën e tij dhe i cili personalisht e donte shumë dhe FG (Fetullah Gülen), atëherë neve njerëzit e thjeshtë nuk do të na mëshironin fare", thuhet në komentin e tij.

Një përdorues tjetër shkroi se këto dhe mashtrime të ngjashme treguan karakterin e vërtetë të njerëzve në këtë organizatë.

"Tani kemi treguar karakterin tonë të vërtetë. E pra le të shohim se çfarë jemi ne", tha ai.

- "Paratë e mbledhura i hodhën në llogaritë e tyre"

Një përdorues i quajtur "Drhaydarbleda" theksoi se gjëra të tilla brenda kësaj organizate janë duke u bërë në mënyrë sistematike.

Një përdorues tjetër, Hasan Cayli, shkroi se edhe para përpjekjes për grusht shteti, disa anëtarë të organizatës me vite kishin transferuar paratë e mbledhura nga organizata në llogarinë e tyre. Ai gjithashtu theksoi se disa kishin marrë paratë që ishin mbledhur për xhami ose aktivitete të tjera dhe pyeti se si i arratisuri Ekrem Dumanli mund të jepte 750 dollarë për varëse të çelësave apo 1.500 dollarë për një stilolaps.

- Ata fitojnë para nga kontrabanda

Mashtrimet brenda kësaj organizate nuk bëhen vetëm me premtime për hapjen e bizneseve.

Në mediat sociale thuhet se disa njerëz në organizatë po marrin para nga anëtarët e FETO-s që duan të ikin jashtë vendit, me premtime se do t'u ndihmojnë të marrin pasaportë fallse, e megjithatë disa përfitojnë edhe nga trafikimi i njerëzve ndërsa ka raste kur anëtarëve të organizatës që kanë ikur në Greqi u merren shtëpi me qira me një çmim shumë më të lartë se vlera e tyre reale.

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme të grusht shtetit në Turqi në natën e 15 korrikut 2016. Kjo organizatë terroriste udhëhiqet nga Fetullah Gülen, me seli në SHBA, ekstradimi i të cilit është kërkuar edhe zyrtarisht nga Washingtoni.

Anëtarët e kësaj organizate terroriste janë avancuar në shërbimin e tyre duke kurdisur provimet me vite dhe duke u infiltruar në institucionet e shtetit. Pastaj, fillimisht në dhjetor të vitit 2013, anëtarët e FETO-s në gjyqësorin turk u përpoqën të ndiqnin penalisht një numër të zyrtarëve të lartë përmes një procesi të montuar lidhur me pretendimet për korrupsion.

Disa vite më vonë terroristët e FETO-s orkestruan përpjekjen e përgjakshme apo përpjekjen e mposhtur të grusht shtetit të kryer nga oficerët e infiltruar të FETO-s në ushtrinë turke.

Hetimet mbi organizatën terroriste FETO kanë zbuluar se bëhet fjalë për një rrjet global që nuk paraqet rrezik vetëm për Turqinë, por për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv. Kjo është theksuar në mënyrë të përsëritur nga zyrtarët turq. Në përpjekjen për grusht shteti në Turqi ranë dëshmorë 251 persona dhe 2.200 të tjerë u plagosën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.