Bota

Maqedoni e Veriut, 9 të vdekur nga COVID-19, numri i rasteve rritet në 329

Në mbarë vendin janë konfirmuar edhe 44 raste të reja me virusin, si pasojë e së cilës numri i personave me COVID-19 është rritur në 329

Dzihat Aliju   | 31.03.2020
Maqedoni e Veriut, 9 të vdekur nga COVID-19, numri i rasteve rritet në 329

Shkup

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se kanë ndërruar jetë edhe dy persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), me ç'rast numri i të vdekurve është rritur në 9, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këtë e ka bërë të ditur ministria përmes një njoftim duke shtuar se në mbarë vendin janë konfirmuar edhe 44 raste të reja me virusin, si pasojë e së cilës numri i personave me COVID-19 është rritur në 329.

Duke informuar për të vdekurit nga virusi, nga ministria bënë të ditur se, bëhet fjalë për një person 45-vjeçar nga Kumanova si dhe një tjetër 78-vjeçar nga Dibra, të cilët kanë ndërruar jetë në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, të dy me sëmundje bashkëshoqëruese.

Në njoftimin e publikuar nga Ministria thuhet se rastet e reja janë regjistruar në Kumanovë (23), Shkup (11), Tetovë (4), Manastir (3), Strugë (2) dhe Prilep (1).

Përpos këtyre qyteteve, më herët raste janë raportuar edhe nga qytetet e Velesit, Kavadarit, Shtipit, Dibrës, Ohrit, Gostivarit, Kriva Pallankës, Strumicës dhe Gjevgjelisë.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke përfshirë edhe orë policore në të gjithë territorin e vendit nga ora 21:00 deri në ora 05:00. Sipas masave të fundit, ora policore gjatë ditëve të fundjavës do të jetë nga ora 16:00 deri në ora 05:00.

Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın