Ömer Faruk Yıldız
01 Maj 2020•Përditësim: 01 Maj 2020
Malajzia do të rihapë një pjesë të madhe të sektorëve të mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Muhyiddin Yassin, në adresimin e tij për kombin, deklaroi se të gjitha aktivitetet ekonomike në vend do të vazhdojnë nga 4 maji, me kusht që të respektojnë rregullat e higjienës.
"Në javën para nesh, ne do të hyjmë në periudhën e Zbatimit të Kontrollit të Aktivitetit të Kushtëzuar, duke siguruar vazhdimin e aktiviteteve të shumë sektorëve në ekonomi", tha ai.
Ai theksoi se kufizimi i lëvizjes që vazhdon nga 18 marsi i ka shkaktuar vendit një humbje ditore prej 63 miliardë ringitë (14,6 miliardë dollarë).
"Pas rreth dy muajsh, shoh që të gjithë duan të kthehen në punë. Nëse ne vazhdojmë ndalesën e pjesshme të lëvizjes për një kohë të gjatë, populli ynë mund të mos jetë në gjendje të sigurojë jetesën", tha Muhyiddin.
Në këtë drejtim, Muhyiddin deklaroi se prodhimi, shitja, marketingu dhe aktivitetet e biznesit nga çdo sektor do të vazhdojnë nga 4 maji, dhe se restorantet dhe kafenetë mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre duke zbatuar rregullin e distancës sociale.
Ndërkaq, ai tha se ndalesa do të vazhdojë për sektorët dhe bizneset ku nuk mund të sigurohet distancë.
"Vendet si muzetë, parqet argëtuese, parukeritë dhe sallonet e bukurisë, sallat sportive, kinematë, qendrat argëtuese dhe sallat e masazhit, do të qëndrojnë të mbyllura në këtë periudhë", deklaroi kryeministri i Malajzisë.
Muhyiddin njoftoi se qytetarët do të lejohen pjesërisht të bëjnë sport dhe aktivitete të ngjashme.
"Vrapimi dhe ushtrimet do të lejohen brenda kornizës së rregullit të distancës sociale. Megjithatë, futbolli dhe sportet e ngjashme ku krijohen turma do të vazhdojnë të jenë të ndaluara", u shpreh ai.
Duke theksuar se ndalesa për iftaret kolektive dhe aktivitetet e ngjashme fetare gjatë Ramazanit nuk është shfuqizuar, Muhyiddin u bëri thirrje qytetarëve të vendit të qëndrojnë në shtëpi sa herë që të jetë e mundur.
Qeveria e Malajzisë kishte vendosur të kufizojë lëvizjen nga 18 marsi për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Ndalesa e lëvizjes është zgjatur tri herë brenda dy muajve të fundit dhe do të përfundojë më 12 maj.