Saadet Gökce
05 gusht 2026•Përditësim: 05 gusht 2026
Malajzia tha sot se planet për të riatdhesuar një grup fillestar prej 5.000 refugjatësh Rohingya në Mianmar nuk do të vazhdojnë nëse ata përballen me rrezikun e persekutimit ose kërcënimeve për jetën e tyre pas kthimit, transmeton Anadolu.
Ministri i Komunikimeve, Fahmi Fadzil tha se autoritetet po vlerësojnë planin e propozuar të riatdhesimit dhe do të identifikojnë refugjatët e përfshirë, njoftoi e përditshmja malajziane "The New Straits Times".
"Malajzia, si një vend përgjegjës, nuk do t'i kthejë 5.000 refugjatët e Mianmarit nëse ka të ngjarë të persekutohen ose nëse jeta e tyre do të rrezikohej", tha ai duke shtuar se ka disa çështje që "duhet të shqyrtohen së pari gjatë diskutimeve me qeverinë e juntës së Mianmarit përpara se të vazhdojmë".
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim tha më 29 korrik se Mianmari ka rënë dakord të marrë përsëri një grup fillestar prej 5.000 refugjatësh Rohingya që aktualisht jetojnë në Malajzi, pas negociatave dypalëshe. Malajzia pret një nga popullsitë më të mëdha të refugjatëve Rohingya në rajon, shumë prej të cilëve u larguan nga persekutimi në shtetin Rakhine të Mianmarit.
Fahmi tha se qeveria e juntës së Mianmarit ka treguar gatishmërinë e saj për të pranuar refugjatët, por Malajzia duhet së pari të shqyrtojë kriteret e përfshira për të siguruar që riatdhesimi të jetë i përshtatshëm dhe i sigurt.
"Kryeministri ka thënë se ne nuk mund t'i kthejmë ata nëse jeta e tyre do të jetë në rrezik. Wisma Putra (Ministria e Punëve të Jashtme të Malajzisë) po shqyrton disa çështje që lidhen me këtë", tha ai.
Rohingya, një pakicë me shumicë muslimane në Mianmar, përballet me diskriminim, persekutim dhe mungesë shtetësie dhe shpesh herë tenton kalime të rrezikshme detare për t'i shpëtuar vështirësive.
Qindra mijëra Rohingya janë larguar nga Mianmari që nga viti 2017 për shkak të goditjeve të dhunshme nga ushtria dhe grupet e armatosura. Më shumë se 1.3 milionë kanë kërkuar strehim në Bangladesh, me disa që kanë arritur në Indonezi dhe Malajzi pas udhëtimeve të rrezikshme detare.