Bota

Macron: Nevojitet armëpushim i plotë për t’u dhënë fund vrasjeve në Idlib

Macron bëri të ditur se bisedimet në takimin me Putin do të përqëndrohen në krizat rajonale në Ukrainë dhe Siri, si dhe në situatën rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit

Fatih Hafız Mehmet, Elena Teslova  | 20.08.2019 - Përdıtësım : 20.08.2019
Macron: Nevojitet armëpushim i plotë për t’u dhënë fund vrasjeve në Idlib

Ankara

Në një ditë kur akoma më shumë civilë u vranë nga sulmet ajrore në Idlib të Sirisë veriperëndimore, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kërkoi zbatimin e plotë të marrëvshjes së de-eskalimit të Soçit për rajonin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sot jemi shumë të shqetësuar për atë që po ndodh në Idlib. Sot popullsia e Idlibit jeton nën bombardime të vazhdueshme, civilë e fëmijë vdesin", tha Macron në një konferencë për media para takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili është planifikuar në Bregancon të Francës.

“Mendoj se situata është mjaft urgjente dhe është e nevojshme deri në fund të zbatohet memorandumi për armëpushimin, nënshkruar në Soci”, shtoi ai.

Macron bëri të ditur se bisedimet në takimin me Putin do të përqëndrohen në krizat rajonale në Ukrainë dhe Siri, si dhe në situatën rreth marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Rreth Sirisë, Macron theksoi domosdoshmërinë për të vazhduar nismat humanitare “të punuara në Stamboll dhe Shën Petersburg”.

Në marrëveshjen e arritur shtatorin e kaluar, Turqia dhe Rusia ranë dakord të kthejnë Idlibin në një zonë të de-eskalimit ku aktet e agresionit janë të ndaluara, por regjimi sirian dhe aleatët e tij kanë thyer në vazhdimësi kushtet e armëpushimit, duke kryer sulme të shpeshta.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, gjashtë civilë vdiqën në sulmet e regjimit dhe në ato ruse.

Zona e de-eskalimit në Idlib aktualisht është shtëpia e rreth 4 milionë civilëve, përfshirë qindra të zhvendosur viteve të fundit nga forcat e regjimit nga rajone dhe qytete në të gjithë vendin e lodhur nga lufta.

Siria ka qenë e mbyllur në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi sirian i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.

Sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara (OKB), që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë shpërngulur.

Presidenti francez po ashtu tha se me homologun e tij rus do të diskutojë edhe mundësinë e një samiti tjetër mbi krizën e Ukrainës brenda disa javësh, me pjesëmarrjen e liderëve francezë, gjermanë, rusë dhe ukrainasë.

Nga ana tjetër, Putin u tha gazetarëve se kontaktet e tij të fundit me presidentin e sapozgjedhur ukrainas, Volodymyr Zelensky, “frymëzojnë një optimizëm të kujdeshshëm”.

Protestat në Moskë

I pyetur lidhur me protestat e vazhdueshme në Moskë, Putin tha se ato ishin të lidhura me zgjedhjet parlamentare lokale të planifikuara për në muajin shtator.

Putin tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi të regjistrojë 57 kandidatë për shkak të shkeljeve të bëra prej tyre. Ai shtoi se kandidatët e ndaluar mund të kundërshtojnë vendimet në gjykatë dhe se kishte precedentë të çështjeve të fituara nga opozita.

“Qytetarët kanë të drejtë të bëjnë protesta paqësore në përputhje me legjislacionin aktual dhe autoritet duhet të sigurojnë këtë të drejtë. Por, askush, as autoritetet dhe asnjë grup qytetarësh nuk ka të drejtë të shkel ligjin dhe të sjellin situatën në përplasje me policinë”, u shpreh Putin.

Gati 2.000 protestues janë arrestuar në tubime të paautorizuara që protestojnë kundër vendimit të komisionit zgjedhor.

Aksidenti bërthamor rus

Nuk ka asnjë rrezik dhe asnjë përshkallëzim të radioaktivitetit në Detin Baren pas një shpërthimi gjatë një testi të raketave bërthamore, tha Putin.

Ekspertët u dërguan atje, përfshirë ata të pavarur që kontrolluan situatën”, tha ai.

“Kam marrë raportet e ekspertëve tanë ushtarakë dhe civilë, nuk ka ndryshime serioze”, shtoi Putin, duke theksuar se masat parandaluese do të merren nëse është e nevojshme.

Një test i raketave bërthamore të enjten e kaluar shkaktoi një shpërthim në një bazë ushtarake veriore ruse, duke vrarë gjashtë persona.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.