Bota

Macron: Banka Botërore, OKB dhe BE do të formojnë fond për rindërtimin e Libanit

Presidenti francez, Macron tha se janë përmbushur ndihmat e premtuara në konferencën e zhvilluar më 9 gusht dhe se në këtë mënyrë janë mbledhur 280 milionë euro

Yusuf Özcan   | 03.12.2020
Macron: Banka Botërore, OKB dhe BE do të formojnë fond për rindërtimin e Libanit

Paris

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron njoftoi se Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur të formojnë një fond për rindërtimin e Libanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes video-konferencës së përbashkët të Francës dhe OKB-së për herë të dytë u mbajt "Konferenca Ndërkombëtare për Mbështetjen e Popullit të Bejrutit dhe Libanit".

Në një fjalim të mbajtur, Macron tha se janë përmbushur ndihmat e premtuara në konferencën e zhvilluar më 9 gusht dhe se në këtë mënyrë janë mbledhur 280 milionë euro.

"Popullit libanez i janë shpërndarë 12.500 ton miell dhe mbi 75 mijë persona kanë marrë ndihmë monetare", njoftoi Macron i cili shtoi se janë dhënë ndihma me produkte mjekësore për 30 spitale dhe se 25 mijë personave u janë dhënë vende strehimi.

Ai bëri të ditur se 20 për qind e popullit libanez jeton nën kufirin e varfërisë dhe se ndihmat duhet të vazhdojnë.

"Këto ndihma duhet të bëhen nga organizata të shoqërisë civile nën kujdesin e OKB-së", theksoi Macron duke shtuar se Banka Botërore, OKB-ja dhe BE-ja kanë vendosur të formojnë një fond për rindërtimin e Libanit.

Ndër të tjera pasi vuri theksin se këto ndihma nuk mund të bëhen pa formimin e shpejtë të qeverisë në Liban, Macron potencoi se këtë muaj do të zhvillojnë sërish një vizitë në Liban.

Shpërthimi në Portin e Bejrutit

Më 4 gusht në Portin e Bejrutit shpërtheu një zjarr në një depo ku gjendeshin lëndë shpërthyese, pas së cilës ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm që tronditi tërë qytetin.

Presidenti libanez, Michel Aoun deklaroi se shpërthimi u shkaktua nga sasia e 2.750 ton nitrat amonium që ruheshin në Portin e Bejrutit në gjashtë vitet e fundit.

Në shpërthim humbën jetën 191 persona dhe mbi 6 mijë të tjerë u plagosën.

Përveç shpërthimit, Libani lufton edhe me një krizë të madhe ekonomike për të cilën kishin shpërthyer protesta masive.

Macron vizitoi kryeqytetin e Libanit, Bejrutin më 6 gusht dhe 1 shtator. Presionet dhe përpjekjet e tij për formimin e qeverisë nuk dhanë rezultat.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın