Janë duke u zhvilluar disa debate rreth asaj se si lufta midis Rusisë dhe Ukrainës ndikon në pozicionin afatshkurtër dhe afatmesëm të Kinës. Disa ekspertë e shohin luftën si mundësi, por disa të tjerë e shohin atë si një kërcënim për statusin politik dhe ekonomik të Kinës në sistemin ndërkombëtar, shkruan Anadolu Agency (AA).
Lufta krijon mundësi politike dhe ekonomike për Kinën. Së pari, lufta ka minuar mundësitë e afrimit të Rusisë dhe vendeve perëndimore në periudhë afat mesëm. Kjo situatë krijon rrethana më të mira për të ardhmen e partneritetit strategjik kinezo-rus dhe rrit ndikimin e Kinës mbi Rusinë.
Së dyti, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e largon vëmendjen e SHBA-së nga Indo-Paqësori në Evropë. Kjo situatë mund të ndihmojë Kinën të forcojë pozicionin e saj në Azinë Lindore dhe Juglindore për sa i përket performancës ushtarake dhe ekonomike. Së fundi, lufta i jep Kinës një shans për të vëzhguar mënyrën se si reagojnë SHBA-ja dhe vendet e BE-së ndaj operacioneve ushtarake në një vend tjetër, që është një përvojë thelbësore për politikat e ardhshme të Kinës rreth Tajvanit.
Mundësitë ekonomike për Pekinin
Këtu shihen dhe mundësi të ndryshme ekonomike për Pekinin. Sanksionet ndaj Rusisë dhe tërheqja e kompanive të vendeve perëndimore, si BP, mund të rrisë varësinë e Rusisë nga kapitali dhe teknologjia kineze. Vështirë është për Rusinë të eksplorojë dhe të realizojë projekte të reja në Siberi dhe në rajonin e Arktikut pa investime të vendeve perëndimore. Në këtë gjendje, kompanitë ruse dhe rrethi i ngushtë i presidentit Putin si Igor Sechin dhe Genadi Timchenko, do të promovojnë projekte të reja me Kinën, veçanërisht në sektorin e energjisë. Për shembull, njoftimi i Gazprom se kishte siguruar një kontratë për zhvillimin e një tubacioni të gazit natyror drejt Kinës tregon se transaksionet e reja me Kinën tashmë janë duke u ndjekur në mënyrë aktive. Sanksionet ndaj Rusisë dhe promovimi i kontratave të reja me Kinën mund të forcojnë fuqinë lobuese të Kinës në politikën e brendshme të Rusisë dhe të forcojnë pozicionin e Kinës në procesin e negocimit të çmimeve të energjisë.
Sanksionet ndaj Rusisë krijojnë mundësi të reja për kompanitë kineze që të rrisin hisen e tyre të tregut në Rusi. Për momentin, gati një e treta e importeve të çipave të Rusisë vijnë nga Kina. Përveç kësaj, çdo tërheqje e mundshme e kompanive që furnizojnë pajisjet e telekomunikacionit në Rusi mund të forcojë pozicionin e kompanive kineze, si Huawei, në Rusi.
Së fundi, marrëdhëniet e tensionuara midis Perëndimit dhe Rusisë mund të përshpejtojnë procesin e heqjes së përdorimit të dollarit. Për shkak të sanksioneve, bankat e njohura ruse janë përjashtuar nga sistemi kryesor global i pagesave SWIFT. Në këtë situatë, Pekini dhe Moska mund të promovojnë përdorimin e juanit në tregtinë dypalëshe. Promovimi i largimit nga dollari dhe mbështetja e juanit mund ta ndihmojë Kinën të ndërkombëtarizojë juanin, të rrisë praninë e saj financiare dhe ekonomike në sistemin ndërkombëtar dhe të krijojë një sfungjer kundër rënies ekonomike për shkak të sanksioneve.
Kërcënimet për Kinën
Po ashtu ka edhe kërcënime të ndryshme për Kinën. Si fillim, marrëveshjet e reja energjetike të Kinës me Rusinë, si dhe qëndrimi i saj ndaj shqetësimeve të sigurisë së Rusisë, kanë rritur ndjenjën e një kërcënimi ndaj boshtit Rusi-Kinë. Rritja e perceptimit të kërcënimit për marrëdhëniet kinezo-ruse do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kinës me vendet perëndimore.
Për më tepër, ndryshe nga viti 2014, pushtimi rus i Ukrainës nuk shkaktoi përçarje midis vendeve perëndimore, por krijoi një front të bashkuar kundër Moskës. Konsolidimi i marrëdhënieve transatlantike do të ishte një shqetësim i madh për Kinën në planin afatgjatë, sipas perspektivës në rritje të "Kërcënimit të Kinës". Sepse, pas Rusisë, vendet perëndimore do të jenë në gjendje të vendosin sanksione të unifikuara ndaj Kinës dhe të rrisin operacionet e tyre të kontrollit kundër Pekinit.
Kina mund të përballet me kërcënime të ndryshme ekonomike. Meqenëse tre rrugë të veçanta kalojnë nëpër territorin rus, Rusia luan një rol thelbësor në Iniciativën "Brez dhe Rrugë". Ura e Re Tokësore Euroaziatike është kritike për lidhjen hekurudhore midis Kinës dhe Bashkimit Evropian. Sanksionet kundër industrisë financiare si dhe pasiguria në rritje për politikën e brendshme të Rusisë, do të kenë ndikim në vendimet e kompanive të huaja. Ata mund të mbrojnë tezën që shfrytëzimi i Rusisë si një vend kryesor tranzit të hiqet gradualisht. Lidhja tokësore e Kinës me BE-në mund të rrezikohet si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës.
Përparësitë në periudha afat shkurtër dhe sfidat në periudha afatgjatë
Lufta jo vetëm që dëmton potencialin tranzit të Rusisë, por dëmton potencialin e nyjës tranzitore të Ukrainës. Gjeografia e Ukrainës krijon mundësi për Kinën për të përmirësuar lidhjen dhe marrëdhëniet tregtare me vendet e Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Megjithatë, Hekurudhat e Ukrainës ndërprenë të gjitha lidhjet me Hekurudhat Ruse për shkak të luftës. Kjo situatë rrit varësinë e Kinës nga rrugët detare dhe dëmton tregtinë tokësore Kinë-BE në periudhë afat shkurtër dhe afatmesëm në epokën e konkurrencës në rritje midis Kinës dhe SHBA-së.
Lufta shkakton rritje të çmimeve të energjisë dhe produkteve bujqësore. Rritja e çmimeve, pavarësisht marrëveshjeve të reja të grurit dhe energjisë së Kinës me Rusinë ka një ndikim negativ në rritjen ekonomike të Kinës duke ulur fuqinë blerëse të konsumatorit. Çmimet prekin jo vetëm qytetarët kinezë, por edhe fuqinë blerëse të vendeve të tjera, e cila ka një ndikim indirekt në eksportet e Kinës. Të dyja këto probleme kanë potencialin e ngufatjes së rritjes ekonomike të Kinës dhe të nxjerrin nga binaret politikën e saj të monedhës së dyfishtë.
Përfundimisht, paqëndrueshmëria në Ukrainë mund të dëmtojë prodhimin e çipave të kompanive kineze, sepse Ukraina siguron 70 për qind të gazit neon në botë, i cili është një përbërës thelbësor për prodhimin e gjysmëpërçuesve. Çdo ndërprerje në zinxhirin e furnizimit do të ndikonte në industrinë e çipave të Kinës.
Në periudhë afat shkurtër, varësia në rritje e Rusisë nga Kina dhe marrëdhëniet e pasigurta midis Rusisë dhe vendeve perëndimore krijojnë mundësi për Pekinin. Megjithatë, në periudhë afatmesëm, ndërprerja në zinxhirin e furnizimit, rritja e çmimeve të energjisë dhe paqëndrueshmëria në korridorin hekurudhor verior do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet ekonomike të Kinës me BE-në dhe do të ngadalësojnë përparimin e iniciativës "Brezi dhe Rruga". Në planin afatgjatë, sfida kryesore për Kinën do të jetë forcimi politik i lidhjeve transatlantike dhe skepticizmi në rritje i boshtit Kinë-Rusi, pasi SHBA-të shtojnë përpjekjet e saj për kontroll përmes QUAD dhe AUKUS.
* Autori është bashkëpunëtor i ri kërkimor në Qendrën Kaukaziane për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Strategjike (QAFSAM)
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency (AA)
news_share_descriptionsubscription_contact


