Aysu Biçer
23 korrik 2026•Përditësim: 23 korrik 2026
Mbretëria e Bashkuar ka dënuar fuqishëm sulmet e Huthive ndaj cisternave saudite të naftës, duke paralajmëruar se këto goditje përbëjnë një kërcënim serioz për jetët e njerëzve, mjedisin dhe sigurinë rajonale, transmeton Anadolu.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me Arabinë Saudite dhe u bëjmë thirrje Huthive të ndalojnë”, shkroi Zyra për Punët e Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar në rrjetin social amerikan X.
Agjencia britanike e operacioneve tregtare detare (UKMTO) bëri të ditur se një cisternë mori flakë pasi u godit rreth 70 milje detare në jugperëndim të portit saudit Al Shuqaiq.
Grupi jemenas Huthi mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se kishte shënjestruar dy cisterna saudite me dronë dhe raketa për shkak të shkeljes së bllokadës së shpallur detare nga grupi.
Sulmet rritën frikën se ndërprerjet e transportit detar që prekin Ngushticën e Hormuzit mund të përhapen edhe në Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab al-Mandab, rrugë kyçe për transportin global të naftës së papërpunuar dhe karburanteve.
Sulmet ndodhën disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se Washingtoni do të godasë një urë ose një central elektrik iranian sa herë që Teherani të sulmonte një anije në Ngushticën e Hormuzit.
Paralajmërimi sinjalizoi një përshkallëzim të mëtejshëm pas rënies së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit.
Irani u përgjigj duke paralajmëruar se do të hakmerrej kundër infrastrukturës dhe objekteve energjetike të lidhura me SHBA-në në të gjithë rajonin, nëse Washingtoni do të kryente sulmet e kërcënuara.