Bota

Liga Arabe dhe OIC thirrje për respektimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit në Sudan

Ushtria sudaneze arrestoi kryeministrin e Sudanit, Abdullah Hamdok, si dhe ministrat në qeverinë e përkohshme

Ekip  | 25.10.2021 - Përdıtësım : 25.10.2021
Liga Arabe dhe OIC thirrje për respektimin e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit në Sudan

Ankara

Liga Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islam (OIC) u bëri thirrje të gjitha palëve në Sudan që t'i binden marrëveshjes për ndarjen e pushtetit që përshkruan tranzicionin politik në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtria sudaneze arrestoi kryeministrin e Sudanit, Abdullah Hamdok, si dhe ministrat në qeverinë e përkohshme.

Ministria e Informacionit bëri të ditur se Hamdok u arrestua nga një forcë ushtarake pasi ai refuzoi të mbështeste atë që e përshkroi si "grusht shteti".

Në një postim në Twitter, Liga Arabe me qendër në Kajro shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet në Sudan dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë plotësisht Deklaratën Kushtetuese të nënshkruar në gusht të vitit 2019.

"Është e rëndësishme të respektohen të gjitha vendimet dhe marrëveshjet që janë rënë dakord në lidhje me periudhën e tranzicionit deri në mbajtjen e zgjedhjeve", tha Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul-Gheit.

Ai nënvizoi nevojën për "përmbajtje nga marrja e çdo mase që mund të prishë periudhën e tranzicionit ose të tronditë stabilitetin në Sudan".

Ndërkohë, OIC u bëri thirrje të gjitha palëve sudaneze që të "angazhohen për dokumentin kushtetues në lidhje me periudhën e tranzicionit".

"Dialogu është mënyra për të tejkaluar dallimet në mënyrë që t'i jepet përparësi interesit suprem të popullit sudanez dhe të arrihen aspiratat e tij për siguri, stabilitet, zhvillim dhe prosperitet", shtoi në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i OIC-së, Yousef Al-Othaimeen.

Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë koment nga ushtria sudaneze.

Tensionet u përshkallëzuan midis udhëheqësisë ushtarake dhe politikanëve civilë në Sudan që nga një përpjekje e dështuar për grusht shteti muajin e kaluar.

Sudani aktualisht administrohet nga një Këshill Sovran i përbërë nga zyrtarë ushtarakë dhe civilë, i cili mbikëqyr periudhën e tranzicionit deri në zgjedhjet e planifikuara për vitin 2023, si pjesë e një pakti për ndarjen e pushtetit midis ushtrisë dhe koalicionit Forcat për Liri dhe Ndryshim (FFC).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın