Jeyhun Aliyev
22 Janar 2020•Përditësim: 23 Janar 2020
Lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, ka përshëndetur udhëheqësinë "e guximshme" të Malajzisë për mbështetjen e të drejtave të palestinezëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Organizatës Kulturore Palestineze në Malajzi (PCOM), Haniyeh në Putrajaya u takua me kryeministrin e Malajzisë, Mahathir Mohamad, ku rishikuan situatën aktuale në Palestinë, veçanërisht shkeljet e fundit të Izraelit në Kuds.
Në kumtesën e PCOM-së thuhet se lideri i Hamasit, i cili ishte i shoqëruar nga një delegacion, gjithashtu theksoi rëndësinë e "prishjes së planeve izraelite".
Mahathir përsëriti qëndrimin e tij të fuqishëm për të mbështetur popullin palestinez dhe "kauzën e tyre të drejtë".
Ai theksoi nevojën për një "strategji gjithëpërfshirëse" për të forcuar popullin palestinez.
Nga PCOM thonë se delegacioni i përbërë mes tjerash nga anëtarë të lartë të Byrosë politike të Hamasit, siç janë Ezzat Al-Rishq, Nizar Awadallah dhe Maher Salah, do të realizojë edhe disa takime me zyrtarë të lartë nga Malajzia.
Malajzia, një shtet me shumicë muslimane, është një mbështetëse e fuqishme e kauzës palestineze dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
Bllokada 13-vjeçare e Rripit të Gazës nga ana e Izraelit ka rrënuar ekonominë e enklavës bregdetare dhe u ka privuar 2 milionë banorëve të saj lëvizjen e lirë, si dhe ka parandaluar hyrjen e shumë nevojave elementare.
Që nga pushtimi i Kudsit në vitin 1967, palestinezët u janë nënshtruar formave të ndryshme të provokimeve, përfshirë arrestimet, dëbimet, rrënimin e shtëpive dhe vendosjen e taksave të paligjshme.