Bota

Libi, milicitë e Haftarit vazhdojnë të shkelin armëpushimin

Zëdhënësi i forcave të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Abdulmalik al-Madani tha se milicitë e Haftarit bombarduan frontet jugore të Tripolit

Ekip  | 21.01.2020 - Përdıtësım : 22.01.2020
Libi, milicitë e Haftarit vazhdojnë të shkelin armëpushimin

Tripoli

Milicitë e liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, edhe një herë shkelën armëpushimin e brishtë me qeverinë e njohur nga OKB-ja në Tripoli, duke kryer sulm me mortaja në zonat jugore të kryeqytetit.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), zëdhënësi i forcave të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA), Abdulmalik al-Madani tha se milicitë e Haftarit bombarduan frontet jugore të Tripolit.

Në deklaratë e ngjashme u bë dje nga GNA në të cilën thuhej se milicitë e Haftarit bombarduan zonat Salaheddin, al-Ramla dhe Ein Zara në jug të Tripolit.

Më 12 janar, palët e konfliktit njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin. Por, bisedimet e javës së kaluar në Moskë për një marrëveshje të përhershme të armëpushimit përfunduan pa sukses, pasi Haftari u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.

Të dielën në Berlin, Haftari pranoi të caktojë anëtarët në një komision ushtarak të propozuar nga OKB-ja, me pesë anëtarë nga secila palë për të monitoruar zbatimin e armëpushimit.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra e udhëhequr nga komandanti ushtarak Khalifa Haftar me qendër në lindje të Libisë dhe kryesisht e mbështetur nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa tjetra GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.