Bota

"Letra e SHBA-ve rreth planit të F-35 nuk përputhet me frymën e Aleancës"

Shanahan i dërgoi një letër ministrit Akar, ku tha se për shkak të “shqetësimeve të sigurisë” Washingtoni do të ndërpresë para përfundimit programin e trajnimit mbi avionët luftarakë F-35 për pilotët turq

Sarp Özer   | 12.06.2019
"Letra e SHBA-ve rreth planit të F-35 nuk përputhet me frymën e Aleancës" ( Arif Akdoğan - Anadolu Agency )

Gebele

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, duke iu referuar letrës së dërguar atij nga homologu amerikan rreth planit të blerjes së avionëve luftarakë F-35 tha se letra “nuk është në përputhje me frymën e Aleancës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për gazetarët në qytetin Gabele të Azerbajxhanit, Akar konfirmoi se javën e kaluar ka pranuar një letër nga sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan.

“Ne jemi të prekur nga mënyra si e ka paraqitur opinioni publik. Ne kemi vërejtur se mënyra nuk është në përputhje me frymën e Aleancës. Prandaj, ne jemi duke bërë përgatitjet e nevojshme për t’u përgjigjur. Në ditët në vijim, ne do të japim përgjigje”, tha Akar.

Shefi i mbrojtjes turke po ashtu bëri të ditur se sot ai do të flasë me sekretarin amerikan në telefon.

“Në fund të këtij muaji do të mbahet një takim i ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Ne atje do të takohemi me sekretarin amerikan të Mbrojtjes në detyrë. Përveç kësaj, ne do të mbetemi në kontakt në mënyra të ndryshme përmes letrave dhe telefonit. Nesër, 13 qershor, ne do të realizojmë një telefonatë me zv/sekretarin amerikan të mbrojtjes. Ne shprehëm mendimet dhe kërkesat e Turqisë dhe Forcave të Armatosura Turke në mënyrë të shkruar dhe verbale në bisedimet tona të tjera. Ne do të vazhdojmë të shprehim këtë edhe në të nesërmen”, deklaroi Akar.

Javën e kaluar, Shanahan i dërgoi një letër ministrit Akar, ku tha se për shkak të “shqetësimeve të sigurisë” Washingtoni do të ndërpresë para përfundimit programin e trajnimit mbi avionët luftarakë F-35 për pilotët turq.

“Ne kemi pezulluar disa nga aktivitetet në drejtim të trajnimit. Ne nuk kemi pezulluar asnjë aktivitet të mirëmbajtjes”, thuhet në letër.

Tensionet midis SHBA-ve dhe Turqisë janë rritur për shkak të blerjes së sistemit të mbrojtjes ajrore ruse S-400 nga Ankaraja.

Turqia në vitin 2017 vendosi të blejë sistemin S-400 pas përpjekjeve pa sukses për të blerë sistemet e mbrojtjes ajrore nga SHBA-të.

Washingtoni pohon se kjo lëvizje do të rrezikojë rolin e Turqisë në programin e avionit luftarak F-35 dhe se mund të shkaktojë sanksione në Kongres.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın